“Tenistët e pavaksinuar nuk do të lejohen në Australian Open”

19 Tetor 2021
11:59
Telesport
back button

Të gjithë tenistët që nuk kanë kryer vaksinën anti-Covid nuk do të lejohen të luajnë në grand slam të Australian Open, turneu i parë i madh që zhvillohet në janar të vitit 2022. Lajmin e konfirmoi kryeministri i shtetit të Victoria, Daniel Andrews, ku ndodhet edhe qyteti i Melburn, vendi ku zhvillohet ky event.

Kryerja e vaksinës prej disa javësh është bërë e detyrueshme për sportistët profesionistë, në mënyrë që ata të marrin pjesë në evente.

“Me shumë gjasa, asnjë tenist i pavaksinuar nuk do të marrë vizën hyrëse për Australi, për të luajtur në grand slam. Nëse ka nga ata tenistë që kanë vizë, atëherë ata do të qëndrojnë disa javë në karantinë të detyrueshme. Ndërsa tenistët e vaksinuar do të jenë të lirë të luajnë”, tha Andrews.

Australia po përgatitet për të hequr të gjitha kufizimet për herë të parë pas 18 muajsh, por çdo vendim që do të merret do të jetë gradual. Gjithçka do të varet nga vaksinimi i popullsisë dhe se si do të jetë situata në vendet e tjera.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit