Teqja: Derbi ishte i vakët, titulli kampion fitohet ndaj të vegjëlve…

13 Korrik 2020
11:23
Alfred Lleshi
back button

Kukësi vijon të shpresojë ende te titulli kampion, megjithëse shanset për këtë janë minimale. Verilindorët bënë detyrën e tyre ndaj Teutës, në ndeshjen e radhës, por nuk morën dot një assist të plotë nga Partizani. Sikurse dihet, derbi i madh i kryeqytetit doli në barazim. Tirana kryesuese mori një pikë të artë, e cila mund t’i japë titullin në fund të garës, mbasi të luajë edhe tri ndeshjet e mbetura. I ftuar në emisionin “Rubrika Sportive” në RTSH, mbrojtësi Olsi Teqja foli për ecurinë e skuadrës nënkampione këtë sezon dhe ndeshjet e mbetura:

“Derbi? Ishte një derbi i vakët, se mungonin tifozët, që i japin bukuri. U ndez pak në pjesën e dytë, pas golit, por u mbyll në mënyrë dramatike. Ishte një derbi jashtë pritshmërive, në fund rezultoi i bukur, por jo për ne. Nuk është se bënim tifo për Partizanin, por me sa pamë të dyja ekipet nuk u ngritën në nivelin e duhur. Partizani ishte më konkret dhe e meritonte fitoren. Ai barazim dramatik na mërziti disi, mbetëm pak të zhgënyer.

Teuta është kundërshtar shumë serioz dhe e morëm me seriozitet maksimal, se na duheshin tri pikët. Ishim shumë konkretë, të saktë, loja shumë e rrjedhshme. Shënimi i golit që në minutat e para na ndihmoi për të dytin dhe u pastaj bë më e lehtë për ne. Zbatuam detyrat e trajnerit dhe bëmë një pjesë të parë shumë të mirë. Në fazën sulmuese jemi shumë të kompletuar, shënojmë shumë gola dhe kemi shumë cilësi. Jemi mbrojtja më e mirë e kampionatit, me më pak gola të pësuar. Pra, mund të thuhet se mbrojtja ka bërë punën e vet. Unë e kam thënë edhe më parë që nuk është më asgjë në dorën tonë. Detyra jonë ishte që nga 10 finale, pas pandemisë, t’i fitonim të gjitha. Fatkeqësisht nuk i fituam dhe bëmë hap fals me Laçin, e rëndësishme është të marrim 9 pikë dhe pastaj nuk është më në dorën tonë.

Përderisa Flamurtari ka dalë nga objektivat, besoj se do të jetë më e lehtë për Tiranën. Laçi dhe Bylisi do të kenë më shumë vështirësi. Kukësi është i ndërtuar për objektiva madhorë dhe do të jetë keq po të dalë pa trofe. E meitojmë një trofe këtë vit, kampionatin ose kupën. E kemi objektiv madhor dhe detyrim. Besoj se në fund të këtij sezoni do ta marrim një trofe. Edhe ju jeni dakord me mua që, nëse nuk marrim trofe, është dështim. Na vjen keq, sepse kundërshtarët direktë i kemi mposhtur në çdo drejtim, si Tiranën, Partizanin apo Teutën. Kampionati fitohet me ekipet e vogla dhe ne kemi gabuar. Ky është shkaku i diferencës që kemi aktualisht me Tiranën”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit