Kategoria Superiore

Tërbuni merr Peqinin, vjen edhe portieri Gjonikaj

Skuadra e Tërbunit ka bërë të vetin sot edhe një tjetër lojtar cilësor. Ai është mbrojtësi Roland Peqini. Ish-lojtari i Kukësit ka rënë dakord me drejtuesit pukjanë për të luajtur me ta në sezonin e ri dhe pas kësaj, i është bashkuar menjëherë skuadrës në stërvitje, duke u vënë nën urdhërat e trajnerit Nikaj. Akordi me 25-vjeçarin ka ardhur menjëherë pasi është mësuar se Olsi Gocaj nuk do të vinte te Tërbuni. Lojtari që ka luajtur me Vllazninë deri para pak kohës, zgjodhi të vazhdonte karrierën te Laçi dhe për këtë, drejtuesit e Tërbunit menjëherë biseduan me Peqinin, duke arritur kësisoj të sigurojnë krahun e djathtë të mbrojtjes.

gjonikaj

Fabio Gjonikaj, i cili ka lënë Partizanin, për të luajtur me Tërbunin

Karriera e këtij lojtari natyrisht që është një garanci për një vazhdimësi të mirë edhe te skuadra e tij e re. Por përveç Peqinit, sot në stërvitje me skuadrën pukjane ka qenë edhe portieri Fabio Gjonikaj. Ai ka arritur të marrë leje-kalimin nga Partizani për t’iu bashkuar ekipit të vendlindjes, Tërbunit. Në këtë mënyrë, edhe porta me të, por edhe me Haxhon, është tashmë e sigurtë. Natyrisht që trajneri Nikaj kërkon sërish përforcime, sidomos në repartin e sulmit, ku ende nuk ka gjetur lojtarët e duhur, por me siguri që në ditët në vazhdim do të ketë të tjera goditje nga drejtuesit e klubit.

Burimi: Gjergj KOLA (Shkodër)

 

Më shumë nga Kategoria Superiore