Tërhiqet apo vazhdon? Agolli sqaron gjithçka

14 Janar 2019
11:28
back button

Një faqe në Facebook e tifozerisë së Karabakut postoi një mesazh të shkurtër sot, por që kishte shumë interes për ne, pasi bëhej fjalë për mbrojtësin e famshëm të kombëtares kuqezi, Ansi Agolli: "Agolli po mendon ta mbyllë karrierën në fund të sezonit dhe sezoni aktual do të jetë i fundit për të te Qarabag".

Natyrisht, 36-vjeçari nga Tirana është në sezonet e fundit të karrierës, por nuk pritej që vendimi i tij të publikohej kaq thatë, pa njoftim të tij apo klubit.

Për këtë arsye, "TELESPORT" ka kontaktuar veteranin e kombëtares sonë, i cili ka mohuar lajmin e përhapur, duke e cilësuar thjesht spekulim, në kohë merkatoje dhe mungesë ndeshjesh zyrtare për shkak të minifazës përgatitore.

"Nuk është e vërtetë, bëhet fjalë thjesht për një faqe tifozësh, nuk duhet ngatërruar me faqen zyrtare të klubit. Nëse do kishte një vendim të tillë, do ishte publikuar së pari nga klubi dhe unë, ndërsa faqet e tifozëve komentojnë apo aludojnë, por nuk janë burim i mirëfilltë lajmi. 

"Gjithçka mund të quhet një spekulim, muhabet kafenesh, ndaj nuk i duhet dhënë rëndësi, aq më shumë që jemi në mesin e sezonit. Në fund të tij do të flasim shtruar me drejtuesit e klubit".

Agolli ka dalë si futbollist te Tirana, ndërsa në vitin 2010 kaloi te Qarabag, pas një sezoni te Kryvbas në Ukrainë. Periudha te Qarabag është më e arta në karrierën e tij të shkëlqyer, sepse në Azerbajxhan ka fituar gjithçka dhe është kthyer në një ikonë të klubit, duke qenë mjaft i respektuar nga të gjithë, aq sa nuk është çudi që pas ndarjes nga futbolli i luajtur mbrojtësi i majtë të marrë ndonjë post drejtues në klub, pavarësisht se shpesh është thënë se në fund të karrierës Agolli mund të luajë të paktën një sezon te Tirana.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit