“Tërmeti” i radhës, Memelli e mbyll me Laçin

10 Dhjetor 2018
12:24
back button

Migen Memelli do të lërë drejtimin e Laçit, pas humbjes së pësuar në Vlorë këtë të diel. Ish-sulmuesi i njohur i ka dhënë fund aventurës kurbinase, raporton "Sport Ekspres", që saktëson se njoftimi zyrtar i klubit do të vijë në orët e ardhshme.

Memelli e mori drejtimin e Laçit pas largimit të Artan Mërgjyshit, në nëntor, por ishte në rolin e zëvendëstrajnerit deri në atë moment dhe ishte zgjedhje logjike, duke e njohur shumë mirë skuadrën.

Në 6 ndeshje Memelli grumbulloi 10 pikë dhe kulmin e vet e pati me fitoren e shkëlqyer kundër Skënderbeut në Tiranë. Megjithatë, presidenti Pashk Laska asnjëherë nuk foli zyrtarisht për konfirmimin e tij apo firmën në ndonjë kontratë të paktën deri në fund të sezonit, ndërsa vetë Memelli e pranonte se kishte një marrëveshje verbale me Laskën dhe ishte në dispozicion për sa kohë ishte i nevojshëm.

Tashmë drejtimin e Laçit pritet ta marrë Besnik Prenga, i cili rikthehet, sepse drejtoi me sukses bardhezinjtë në Europa League këtë verë, duke kaluar turin e parë kundër Anorthosis Famagustas.

Prenga është prej vitesh pjesë e Lokomotivës së Zagrebit, ku ka punuar si zbulues talentesh dhe trajner moshash, ndërsa tani është gati të kthehet në Shqipëri, për të punuar për herë të parë në Superiore.

Telesport është krenar që bashkëpunon me Krowd9, një aplikacion fantastik i futbollit për shqiptarët! Shkarkojeni > bit.ly/krowd9 për video me përmbledhje ndeshjesh, njoftime të menjëhershme për golat dhe të gjitha lajmet e Telesport! Krowd9 është i përdorshëm në shqip, italisht dhe anglisht.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit