Teuta e Kamza Basket fitore “in extremis”, kualifikohen në finalen e Kupës

28 Janar 2023
19:42
Telesport
back button

Teuta dhe Kamza Basket janë dy ekipet finaliste të Kupës së Shqipërisë në basketboll për meshkuj, pas fitoreve arrityur mbrëmjen e sotme. Ndeshjet gjysmëfinale u luajtën në mjediset e Akademisë “Dhimitraq Goga”, ku emocionet nuk munguan deri në sekondën e fundit.

Në gjysmëfinalen e parë, Kamza Basket fitoi 106-105 ndaj Besëlidhjes, ndeshje e vendosur pas kohës shtesë. Të dyja skuadrat dueluan fort për fitore dhe koha e rregullt u mbyll 93-93. Gjithçka u vendos në sekondat e fundit, falë një koshi të Thomas.

Për Besëlidhjen u dalluan Jordan me 33 pikë e Bryant me 29, por që s’mjaftuan për të fituar. Për Kamzën, u dalluan Justin e Gray me nga 24 pikë secili, Thano me 23 pikë e Boëers me 19 pikë e 14 rebound, një kuartet që bëri diferencën në parket në momentet vendimtare.

Në takimin tjetër, Teuta mundi 74-72 Tiranën, ndeshje e vendosur në sekondën e fundit, falë një koshi të Sullivan (17 pikë e 12 rebound). Një ndeshje e hapur deri në fund, ku herë udhëhiqte njëra skuadër e herë tjetra dhe të dyja e meritonin fitoren.

Kur u mendua se kjo sfidë do të shkonte me shtesë, vjen koshi i Sullivan në sekondën e fundit, duke nisur festën e durrsakëve. Për Teutën shënuesi më i mirë ishte Simpson me 18 pikë, ndërsa për Tiranën u dalluan Bonner me 23 pikë e Hamati me 22 pikë.

Gjysmëfinale-Meshkuj

28/1, Besëlidhja – Kamza Basket, 105-106

28/1, Teuta – Tirana, 74-72

Finale-Meshkuj

29/1, Kamza Basket – Teuta

Lajme të tjera

Lajmet e fundit