Basketboll

Teuta e pandalshme në Ligën Ballkanike, mposht edhe kosovarët e Bashkimit

Dy ndeshje dhe dy fitore për Teutën në Ligën Ballkanike në basketboll për meshkuj. Skuadra durrsake fitoi sot në mbrëmje 88-64 ndaj kosovarë të Bashkimit, takim që u luajt në pallatin e sportit “Ramazan Njala”. Një ndeshje me rivalitet dhe emocione vetëm në 10-minutëshin e parë, koha e mjaftueshme për të studiuar lojën e rivalit dhe më pas në fushë dominoi ekipi i Teutës. Lodhja në fitoren ndaj Goga Basket në derbin durrsak pak ditë më parë nuk ndikoi aspak në këtë sfidë, pasi “djemtë e detit” ishin superiorë në parket në çdo drejtim dhe e merituan fitoren.

Takimi nis me rivalitet dhe rezultati barazohet disa herë gjatë periodës së parë, ku të dyja ekipet luajnë për fitoren, pa mundur të shkëputen. Por në çerekun e dytë Teuta merr frenat e lojës në dorë dhe nis të krijojë një avantazh të lehtë me kalimin e minutave, duke dominuar në lojën nën tabelë (Hysenagolli 22 pikë dhe 13 rebaund, Copes realizoi 17 pikë e 9 rebaund, Hamati 14 pikë e 9 rebaund).

Miqtë kosovarë e kanë të vështirë të rivalizojnë dhe me kalimin e kohës humbasin edhe më shumë terren, duke mos qenë në gjendje të përballojnë dot ritmin e durrsakëve. Diferenca thellohet edhe më shumë në pjesën e dytë, ndaj për Teutën bëhet edhe më e lehtë të kontrollojë diferencën, duke fituar me lehtësi 88-64 ndaj Bashkimit dhe udhëheq Ligën ballkanike me 4 pikë të plota. Ndeshja e radhës për durrsakët më 7 nëntor, sfida e parë jashtë fushe, ndaj Kuzov të Maqedonisë.

Teuta – Bashkimi, 88-64 (21-20, 28-16, 21-16, 18-12)

Më shumë nga Basketboll