Teuta në hall për pasuesin e Latif, kërkime nga Vlora në Bullgari

11 Janar 2019
15:41
back button

Amadu Latif është tashmë një "ish" te Teuta, sepse është shitur te Shakhtyor Soligorsk, klubi bjellorus ku luan edhe Elis Bakaj, i cili ka shkëlqyer vitin e shkuar dhe ka bindur bjellorusët se në Shqipëri mund të "peshkohen" lojtarë mjaft cilësorë.

Latif shënoi 9 gola në pjesën e parë të sezonit, ndaj lë një boshllëk të rëndësishëm në sulmin durrsak. Trajneri Bledi Shkëmbi e vlerësonte shumë dhe e kishte një pikë referimi në sulm, ndaj largimi i tij i ka prishur jo pak planet, sepse në janar priste ndonjë sulmues tjetër, jo që t'i shisnin më të mirin në ekip. Shkëmbi është mësuar të ndërmarrë misione të ndërlikuara në pamje të parë, edhe kur mori Teutën dhe ekipi ishte thuajse U23 të shumtë ishin ata që menduan se do dështonte, ndaj nuk e demoralizon ky largim, aq më shumë që janë arkëtuar 150 mijë euro, por natyrisht korçari është i stresuar dhe pret sa më shpejt të paktën një sulmues niveli, që të vijojë në rrugën e Latif.

Duhet një futbollist i nivelit të lartë që të tërheqë sulmin dhe Teuta po bisedon me Tomislav Busic, sulmuesin kroat që kërkon të largohet nga Flamurtari për shkak të krizës financiare.

Megjithatë, veterani i Flamurtarit është nën kontratë dhe duhej të kishte bërë kërkesë që në dhjetor për prishje kontrate të njëanshme, në bazë të kontratës që ka me klubin kuqezi.

Duke qenë se nuk po duket në horizont ndonjë shpresë për kalimin e krizës, Busic vijon të presë që Flamurtari ta lërë të lirë, por Teuta nuk ka kohë, ndaj po sheh përreth dhe Supersport konfirmon bisedimet me sulmuesin bullgar Radoslav Vasilev.

28-vjeçari ka shënuar 3 gola në pjesën e parë të sezonit te Cherno More, ndërsa ishin 9 golat në kampionatin bullgar në gjithë vitin 2017, duke i dhënë edhe një vend në kombëtare, ku shënoi golin e fitores 1-0 të Bullgarisë kundër Norvegjisë, në Nations League.

Sulmues i fuqishëm, Vasilev është një hap larg Teutës dhe vetëm kërkesat e tij financiare po bëjnë që drejtuesit durrsakë të stepen. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit