Teuta mposht Tiranën pas kohës shtesë dhe siguron Superkupën

24 Dhjetor 2021
20:11
Gentian Spiri

Teuta ka fituar Superkupën e Shqipërisë në basketboll për meshkuj, pas fitores 113-108 arritur mbrëmjen e sotme ndaj Tiranës, pas kohës shtesë, takim i luajtur në sallën sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet. Një ndeshje me emocione e rivalitet, ku të dyja skuadrat e kërkuan fitoren, ndërkohë që fundi i sfidës ishte mjaft dramatik dhe emocione.

Teuta e nisi më mirë ndeshjen, duke e dominuar periodën e parë (34-19), por në çerekun e dytë nis rikuperimi i bardhebluve. 20 minutat e para mbyllen 59-50 në favor të durrsakëve, por ritmi i mirë i Tiranës vijon edhe në 10-minutëshin e tretë.

Kryeqytetasit arrijnë të përmbysin shifrat, duke udhëhequr 79-70 në përfundim të periodës së tretë, ndërkohë që sfida bëhet interesonte në 10-minutëshin e fundit. Në dy minutat e fundit Teuta arrin të barazojë e të udhëheqë me një diferencë të ngushtë, por nuk e mbyll dot ndeshjen në favor. Tirana rikuperon dhe në sekondat e fundit barazon shifrat 97-97, duke çuar sfidën në shtesë.

Në 5 minutat shtesë është ekipi durrsak që ka frenat e lojës në dorë, duke qenë gjithnjë në epërsi dhe fiton 113-108. Wallace me 38 pikë ishte shënuesi më i mirë për Teutën, mbështetur nga Calvin me 29 pikë. Për Tiranën u dalluan Mitchell me 35 pikë e Brari me 26 pikë, por që s’mjaftuan për të evituar humbjen.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit