Teuta në basketboll për meshkuj fitoi sot në mbrëmje 96-68 ndaj Vllaznisë në takimin e tretë final të play off-it, duke udhëhequr 2-1 me ndeshje. Durrsakët janë kështu një fitore larg titullit kampion. Ndeshja e luajtur sot në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit u dominua nga vendasit, që u shkëputën që në fillim, duke e administruar më pas avantazhin deri në fund.
Perioda e parë vulosi fitoren e Teutës, që udhëheq 33-15. Vllaznia është e plogësht në fushë dhe përpjekjet e saj janë sporadike. Vendasit udhëheqin 54-39 në përfundim të pjesës së parë, ndërkohë që diferenca thellohet edhe më shumë në 20 minutat e dyta. Teuta ka gjithnjë kontrollin e lojës, duke e thelluar diferencën dhe fiton krejt ndeshjen me 28 pikë avantazh.
Core me 33 pikë ishte më i miri për Teutën, mbështetur edhe nga Bruce me 16 pikë e Beisch me 15 pikë. Duket se faktori fushë është vendimtar në këto finale, teksa deri më tani ekipet kanë fituar vetëm në fushën e tyre. Madje me diferenca të mëdha pikësh, çka tregon për luhatje në lojën e tyre. Takimi i radhës, pas 4 ditësh, do të luhet në Shkodër.