Teuta rikthehet te suksesi në Ligën Ballkanike, fitore dramatike ndaj rivalëve kazakë

7 Janar 2019
20:53
Telesport
back button

Pas 3 humbjeve radhazi, skuadra e Teutës ka rigjetur buzëqeshjen në Ligën Ballkanike (BIBL), duke mundur sot në mbrëmje me rezultatin e ngushtë 73-71 rivalët nga Kazakistani të Barsy Atyray. Ky është suksesi i katërt i ekipit durrsak në Ligën Ballkanike, që ngjitet në vendin e dytë në renditjen proviziore. Një start i mbarë i vitit 2019 për ekipin durrsak, që pretendon edhe titullin në Superligën shqiptare.

Teuta – Barsy Atyrau, 73-71 (22-15, 15-21, 15-22, 21-13)

Ndeshja e luajtur sot në “Ramazan Njala” të Durrësit dhe transmetuar “live” nga Telesport, ishte mjaft dramatike në minutat e fundit, ku të dyja skuadrat e kërkuan fitoren. Miqtë nga Kazakistani shpërdoruan një avantazh prej 10 pikësh që kishin në fillimin e periodës së katërt, duke mos përballuar dot përmbysjen e Teutës, që falë mbështetjes edhe të tifozëve rigjen fitoren në këtë event rajonal.

Teuta: Hysenagolli (10), Lasku (10), Gorea (14), Wilson (17), Copes (15), Shestani (5), Beqo, Hamati (2), Hoxha, Shehi, Mirdita, Sabahi. Trajner: M.Baletic

Ndeshja është me shumë luhatje nga të dyja ekipet, me Teutën që dominon lojën në periodën e parë, duke udhëhequr 22-15. Por dy periodat e tjera janë më të mirë për miqtë nga Kazakistani, që luajnë shpejt dhe rikuperojnë shpejt. Pjesa e parë mbyllet 37-36 për Teutën, ndërsa në çerekun e tretë vjen përmbysja e skuadrës së Barsy Atyray, që udhëheq me shifrat 52-58.

Por mesi i periodës së katërt rikthen Teutën protagoniste, me durrsakët që rithehen në epërsi, por nga ai moment deri në fund loja është dramatike, ku herë udhëheq njëra skuadër e herë tjetra. Një kosh i Wilson (17 pikë), 19 sekonda nga fundi i jep fitoren Teutës, që triumfon 73-71. Për skuadrën kazake kjo është humbja e 4-t në po kaq ndeshje të luajtura, ndërkohë që dy ekipet do të luajnë po në Durrës, pas 4 ditësh, ndeshjen e kthimit (11 janar, ora 19:00).

Lajme të tjera

Lajmet e fundit