Teuta skuadra e parë finaliste, Tirana ndal Gogën dhe rihap kualifikimin

24 Prill 2019
20:58
Telesport
back button

Teuta është skuadra e parë finaliste e play off-it në basketboll për meshkuj. Durrsakët fituan sot në mbrëmje 69-63 ndaj Partizanit në “Asllan Rusi” në ndeshjen e dytë gjysmëfinale, duke fituar 2-0 serinë. Ende në dilemë emri i finalistit të dytë, pasi Tirana fitoi 82-75 ndaj Goga Basket gjysmëfinalen tjetër luajtur në “Fahrie Hoti”, duke barazuar në 1-1 serinë e takimeve.

Në “Asllan Rusi”, skuadra e Teutës ka siguruar një biletë për në finale pas një ndeshje me shumë rivalitet dhe të dueluar deri në fund ndaj Partizanit. Të kuqtë bënë mjaft rezistencë dhe shpresuan në fitore, por në fund u detyruan të pranojnë humbjen. Me gjithë përpjekjet, skuadra e Partizanit nuk ishte mjaftueshëm në lartësinë e Teutës, që pas Kupës dhe Superkupës synon edhe trofeun e tretë sezonal, titullin kampion.

Në gjysmëfinalen tjetër, Tirana mposhti 82-75 Goga Basket, një rezultat disi surprizë, duke parë që durrsakët e mbyllën sezonin e rregullt në vendin e parë. Gjithsesi, bardheblutë bënë një ndeshje mjaft të mirë, sidomos në mbrojtje, duke ndalur vrullin e ekipit durrsak. Tirana luajti me zemër dhe arriti të jetë më e saktë në gjuajtje, duke fituar me meritë një ndeshje me shumë emocione e rivalitet. Sfida e tretë, ajo që do të përcaktojë finalistin e dytë, do të luhet pas 3 ditësh në Durrës.

Po sot në mbrëmje është luajtur edhe ndeshja e dytë e play out-it, ku Vllaznia fitoi 107-75 ndaj Invaders, sfidë e luajtur në “Asllan Rusi”. Shkodranët fituan 2-0 serinë e ndeshjeve, duke siguruar qëndrimin në Superligë edhe sezonin tjetër, ndërsa Invaders do të luajnë sërish në Kategorinë e Parë. Për sa i përket ndeshjes, ajo u dominua nga Vllaznia, superiore në çdo drejtim, duke e merituar fitoren.

Basketboll – Meshkuj, Gjysmëfinale play off (raundi 1)

Goga Basket – Tirana, 81-74

Teuta – Partizani, 83-60

Basketboll – Meshkuj, Gjysmëfinale play off (raundi 2)

Partizani – Teuta, 63-69 (0-2)

Tirana – Goga Basket, 82-75 (1-1)

Basketboll – Play out

Vllaznia – Invaders, 91-56

Invaders – Vllaznia, 75-107 (0-2)

*Teuta skuadra e parë finaliste. Tirana e Goga Basket barazim 1-1 me ndeshje

Lajme të tjera

Lajmet e fundit