Theu rekordin te Brazili, shpërthen Neymar: Nuk e di çfarë duhet të bëj më për t’u respektuar

10 Shtator 2021
11:18
Alfred Lleshi
back button

Neymar ka kërkuar respekt nga shokët e tij brazilianë, pasi theu një rekord të ekipit kombëtar kundër Perusë, të enjten. Sulmuesi u bë golashënuesi më i mirë i vendit të tij në kualifikimet për Kupën e Botës, teksa shënoi në fitoren 2-0 në “Recife”. Ai gjithashtu asistoi golin tjetër.

Numri i golave të Neymar në raundet paraprake të këtij kompeticioni është 12, çka e vendos atë mbi të mëdhenjtë e Brazilit, Romario, Zico dhe Ronaldo. Pavarësisht rekordit të tij për Brazilin, ylli i skuadrës pariziene mendon se nuk merr respektin që meriton dhe nuk e di se çfarë duhet të bëjë për ta fituar atë.

Ai i tha “TV Globo”: “Natyrisht, skuadra është më e rëndësishmja. Unë jam shumë i lumtur që jam golashënuesi më i mirë në kualifikueset e Botërorit, kam më shumë asiste për ekipin kombëtar dhe së shpejti, nëse gjithçka shkon mirë, do të jetë një nder të kaloj Pele si golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave.

Nuk e di më se çfarë duhet të bëj, që njerëzit të më respektojnë. Po kështu gazetarët, komentuesit. Ndonjëherë as nuk më pëlqen të flas në intervista, por në një moment të rëndësishëm vij dhe shfaqem para medias. Ua lë djemve të mendojnë pak”.

Komentet e Neymar vijnë disa ditë pasi ai u kritikua se dukej mbipeshë gjatë ndeshjeve të fundit kualifikuese të Kupës së Botës së vendit të tij. Kishte pretendime se ishte jashtë formës në fitoren 1-0 ndaj Kilit në javën e kaluar, por 29-vjeçari qeshi me pretendimet, duke thënë se fanella që kishte veshur ishte shumë e madhe. “Fanella ishte e madhësisë së madhe, unë jam në peshën e duhur. Ndeshjen tjetër do të porosis një masë M”, – postoi ai në Instagram.

Ish-ylli i Santos dhe Barcelonës tani është golashënuesi i dytë më i mirë i vendit të tij në të gjitha kohërat, në ndeshjet zyrtare. Ai ka 69 gola në emër të tij me Brazilin dhe po afrohet gjithnjë e më shumë me ikonën Pele, i cili e përfundoi karrierën e tij me 77 gola.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit