Theu zemrat e gjithë shqiptarëve me lotët e tij, njihuni me tifozin 7-vjeçar të kombëtares

15 Tetor 2021
13:57
Alfred Lleshi

“Qava, sepse humbi kombëtarja”. Kështu është shprehur tifozi i vogël 7-vjeçar, që shpërtheu në lot gjatë ndeshjes Shqipëri-Poloni, në momentin e golit të vetëm të shënuar nga polakët. Në rrëfimin e tij për “Report TV” del qartë se është tifoz i thekur i kuqezinjve, madje edhe në shtëpi rri me suvenire të kombëtares, me ngjyrat kuqezi.

Ai është nga Lugina e Preshevës, ishte hera e parë që e ndiqte kombëtaren në “Arena Kombëtare”. Pas shumë lutjesh, babai i tij e mori me vete në shkallët e stadiumit, ku Shqipëria u mposht 1-0. Goli i minutës së 77-të e përloti Amaris Hasanin, i cili u filmua nga babai dhe u bë tejet “viral” në rrjete sociale.

Atë që ndodhi në stadium ndaj Polonisë e tregoi babai i Amaris në një lidhje virtuale me emisionin “Abc-ja e mëngjesit”: “Që nga viti 2004 jam tifoz i rregullt i kombëtares shqiptare dhe viteve të fundit kam qenë me të gjithë anëtarët e familjes në stadium.

Ka pasur raste që kombëtaren e kam ndjekur edhe në stadiume jashtë Shqipërisë, kam qenë në Moldavi. Djalit tim, Amarit, qysh nga mosha 3-vjeçare filluam t’i vendosnim shallin kuqezi në qafë, ta stolisnim me flamurin kombëtar, i flisnim gjithmonë për kombëtaren.

Ndaj Polonisë ishte ndeshja e parë e tij në “Arena Kombëtare”, prej më shumë se një viti më kërkonte me ngulm ta merrja në stadium, kur të luante kombëtarja. Gjatë ndeshjes mendova se u ul në stol për shkak të lodhjes. E pyeta nëse ishte lodhur, ai nuk fliste. Kishte ulur kokën, e pashë duke qarë.

E kuptova se e kishte nga goli që na shënoi Polonia. Aty më shkoi mendja ta filmoja. Videon ia nisa bashkëshortes, vëllai më tha ta postoja në Facebook dhe aty u bë “virale”. Klaus Gjasula, futbollisti i kombëtares pati kontakt me ne pas ndeshjes, ai foli vetë me Amarin dhe i ka premtuar t’i dhurojë fanellën e tij në ndeshjet e ardhshme të kombëtares”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit