Thiago largohet nga Bayern, por gjermanët i kanë zgjidhjet brenda shtëpisë

6 Korrik 2020
19:33
Eraldo Harlicaj
back button

Thiago Alcantara është me një këmbë në Mynih dhe me një këmbë tjetër në Liverpool. Mesfushori spanjoll luan prej 7 vitesh te Bayern dhe e ka ndarë mendjen për të provuar një aventurë të re.

Karriera e tij, pas aktivizimit te Barcelona dhe Bayern, mund të kalojë në një nivel tjetër duke kaluar në radhët e “Të kuqve”. Ai praktikisht do të luante në tre kampionate të forta europiane.

Bayern e ka fuqinë ekonomike për të përballuar blerjen e një pasuesi. Thiago do të kushtojë 35 mln euro dhe mjaftojnë disa milionë euro shtesë për të kompletuar një lëvizje big, por gjasat janë që kjo të mos ndodhë.

Skuadra bavareze ka mjaftueshëm mesfushorë në skuadër, falë merkatos së zgjuar të viteve të fundit. Corentin Tolisso, edhe pse i pafat prej dëmtimeve, tashmë mund të konsiderohet si titullar te Bayern. Askush nuk i diskuton cilësitë e tij. Ai mund të bëhet lojtar i rëndësishëm në Mynih.

Ndërkohë, Bayern ka edhe dy emra të tjerë interesantë. Leon Goretzka tashmë është bërë titullar dhe ka shkëlqyer me dyshen fantastike që ka krijuar me gjermanin tjetër, Joshua Kimmich. Sikur të mos mjaftonte ai (dhe muskujt e tij dukshëm më të mëdhenj), trajneri Hansi Flick ka edhe francezin Mickaël Cuisance, i cili së fundmi ka dhënë disa shkëndija se e meriton të konsiderohet si titullar.

Me sistemin 4-2-3-1, Bayern nuk ka pse kërkon për blerje të tjera. Edhe nëse shitet Javi Martinez, bavarezët kanë mjaftueshëm mesfushorë për të përballuar një sezon.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit