Thirrja e fortë e drejtorit të Teutës: Të pezullohet futbolli, s’ka trima me “Coronavirus”!

12 Mars 2020
12:48
Alfred Lleshi
back button

Pas Laçit, një tjetër përfaqësues i klubeve të Superiores, ka bërë thirrje publike për pezullimin e aktiviteteve futbollkistike në vendin tonë. Pra, të mos ketë as stërvitje ditore, as grumbullime në komplekse e klube, as ndeshje mbas dyerve të mbyllura të stadiumeve. Konkretisht, është Artan Shytaj, drejtor i Teutës së Durrësit, që përmes Facebook ka apeluar FSHF, që të mos neglizhojë në këtë drejtim. Në thirrjen “sporti duhet të ndalojë”, ish-zv.ministri shkruan:
“Futbolli është i vetmi sport që do të vazhdojë të luhet në Shqipëri. Por, kur themi futbolli, praktikisht kemi thënë sporti shqiptar, sepse aktivitetet futbollistike zënë 90% e më tepër të aktiviteteve sportive kombëtare. Pra, praktikisht, sporti do të vazhdojë të funksionoje. Deri dje dukej si trimëri. Çdo ditë që kalon kjo merr konturet e papërgjegjshmërisë.
Duket sikur akoma nuk po e kuptojmë në të githa dimensionet e saj, që na ka pllakosur një situatë e rëndë dhe e rrezikshme. Kjo edhe në sport, sepse njerëzit e sportit nuk janë imunë nga ky virus dhe as duhet të bëhen më “trima” se sa masa tjetër e popullsisë.
Qeveria, me të drejtë ka bllokuar çdo aktivitet masiv e grumbullim njerëzish. Pa u ndalur shumë në detaje mjekësore, që tashmë janë berë objekt diskutimesh e konstatimesh, ajo që duhet të kemi të gjithë parasysh është që nuk mund e nuk duhet të presim që situata në Shqipëri të përkeqësohet dhe, larg qoftë, të evoluojë në ritmin e Italisë apo vendeve të tjera, që pastaj të marrim edhe ne masat drastike të ndërprerjes së aktiviteteve sportive totalisht.
Vendimi për të zhvilluar aktivitete pa spektatorë nuk është trimëri . Të zhvillosh ndeshje pa spektatorë është gjithashtu një mungesë respekti për gjithë pjesën tjetër të aktiviteteve që po mbyllen dhe, sidomos, mungesë kujdesi dhe respekti për sportistët e trajnerët, të cilët duhet të jenë të detyruar të stërviten e luajnë në kushtet e panikut të arsyeshëm që na ka kapur të gjithëve, përballë një rreziku që nuk dihet se nga të vjen.
Kjo nuk është koha për të bërë trimin. Trimëri në këtë rast të paprecedentë është të marrësh vendimin e duhur. Dhe kjo, jo kur të jetë tepër vonë. Sepse sporti në këtë rast nuk ndihmon luftën kundër virusit. Përkundrazi, e ndihmon të keqen të përhapet. Sporti , gjithashtu, nuk mund t’i japë shoqërisë së ngujuar mesazhin që gjërat shkojnë normalisht, se ne po vazhdojmë të luajmë…
Trimëri dhe seriozitet është sot të thuash ndal! Se kur të na detyrojë virusi të ndalojmë, siç e detyroi Italinë, na mbetet vetëm papërgjegjshmëria si rekord! Dhe pishmani që “pse nuk e bëmë që në fillim… Të gabosh duke bërë trimin është normale. Të mos mësosh nga gabimet e “trimërive” të të tjerëve është papërgjegjshmëri!”

FSHF reagon, pezullon aktivitetet futbollistike
Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit ka ndjekur nga afër dhe me prioritet ecurinë e situatës në vendin tonë pas rasteve të shfaqura me COVID-19. Nisur nga përshkallëzimi i kësaj situate dhe duke ndjerë përgjegjësi maksimale për të gjithë personat e përfshirë në jetën futbollistike në vend si dhe pas propozimit te Komitetit të Emergjencave në FSHF, Komiteti Ekzekutiv vendosi pezullimin e të gjitha aktiviteteve futbollistike. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë deri në një komunikim tjetër të Federatës së Futbollit.

Lidhur me të gjitha aktivitetet ndërkombëtare futbollistike, ku edhe Shqipëria është pjesëmarrëse, ditën e martë në orën 13:00 UEFA do të organizojë një video-konferencë me të 55 federatat anëtare për të marrë vendimin lidhur me ecurinë e të gjitha aktiviteteve futbollistike evropiane.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit