“Thumbi” i Diletta Leotta nxjerr nga binarët Gasperinin, trajneri arratiset “live” në TV

16 Maj 2022
8:42
Alfred Lleshi

Diçka e papritur dhe e bujshme ndodhi pas ndeshjes në “San Siro”, ku Milani fitoi 2-0 ndaj Atalantës. Trajneri i zikaltërve, Gian Piero Gasperini, braktisi papritur intervistën që po bënte me “Dazn”, drejtpërdrejt në televizion.

Kryepankinës së Atalantës nuk i pëlqeu një pyetje e gazetarës seksi sportive italiane, Diletta Leotta, për episodet e arbitrimit. Në vend që të përgjigjej, Gasperini thjesht tha “ok, faleminderit dhe lamtumirë”.

Kësisoji, ai u largua befasisht nga mikrofoni i “Dazn”, pa asnjë paralajmërim. Pas një momenti hutimi, gazetarja Leotta e përmblodhi atë që ndodhi me ironi, por zhgënjimi që i la trajneri i Atalantës ishte i qartë.

Pak javë më parë Gasperini foli për një “katastrofë”, në lidhje me arbitrat e këtij viti. “Ishte një fatkeqësi këtë vit. I keni pamjet, mund t’i nxirrni”, – ishin disa nga fjalët e tij në atë rast.

Këtë gjë e kujtoi për teleshikuesit gazetarja, duke dashur të nxjerrë në pah standardet e dyfishta të trajnerit të njohur, i cili ndoshta ishte tejet i mërzitur edhe me humbjen ndaj “Djallit”, çka mund ta lërë jashtë Kupave të Europës në sezonin e ardhshëm.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit