Thuram del hapur: Ta shoh djalin tim te kjo skuadër është ëndrra më e madhe

26 Janar 2023
8:20
Alfred Lleshi
back button

Lilian Thuram, një ish-futbollist i Barcelonës, ka rrëfyer se do të dëshironte që djali i tij Marcus, sulmuesi aktual i Borussia Mönchengladbach dhe i kombëtares franceze, të nënshkruante për ekipin katalanas një ditë. Ish-futbollisti i skuadrës Blaugrana midis 2006 dhe 2008 ndodhet në Barcelonë për të prezantuar librin e tij, në të cilin denoncon racizmin ekzistues në shoqëri.

Emri i djalit të tij, Marcus Thuram, është lidhur në disa raste me Barçën dhe babai i tij iu drejtua ironisë: “Nëse ma jepni kontratën, nëse e keni, do ta nënshkruaja direkt. Sidoqoftë, e rëndësishme është që Marcus të vazhdojë të rritet si futbollist”.

Disa orë më parë, në një intervistë për ‘Rac 1’, ai kishte komentuar tashmë: “Unë dua më të mirën për fëmijët e mi. Që Marcus të luajë për Barçën do të ishte një ëndërr”. Sulmuesi francez përfundon kontratën e tij në vitin 2023 dhe ndiqet nga klubet e Premier League si Chelsea.

Thuram e njeh mirë Barçën, me të cilën mbetet i lidhur pas kohës së tij si futbollist në “Camp Nou” midis viteve 2006 dhe 2008. Ai ishte shok skuadre me Xavi Hernández, ndaj vlerësoi punën e trajnerit aktual të Barçës:

“Pak nga pak katalanasit po bëhen sërish një skuadër e madhe. Ata tashmë janë liderë në La Liga dhe kjo më bën të lumtur, për Barçën dhe për Xavin. Ai po bën shumë mirë. Është shumë i ri dhe do të fitojë shumë tituj me Barçën”.

Ai nuk kurseu as lëvdata për bashkatdhetarin Ousmane Dembélé: “Është një lojtar i jashtëzakonshëm, i aftë për të bërë gjëra fantastike; nuk ka shumë lojtarë si ai. Karriera e tij ka ecur shumë shpejt. Tani është 25 vjeç dhe sigurisht e shoh më të fortë mendërisht dhe më vendimtar”.

Lilian Thuram njohu projeksionin e madh të futbollistëve të rinj që janë vendosur në skuadrën titullare të Barçës, pavarësisht moshës së tyre: “Pedri dhe Gavi janë dy futbollistë që do të kenë një karrierë shumë të gjatë këtu. Nëse ata startojnë te Barça në këtë moshë, janë vërtet shumë të mirë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit