“Tifozët e Juventusit nuk i gjen as te United…”

29 Shtator 2022
18:27
Telesport
back button

Ylli i Juventusit, Paul Pogba premton se do të punojë shumë për t’u rikthyer në aksion “sa më shpejt të jetë e mundur” dhe pranon se ka folur me Massimiliano Allegri gjatë kohës që ishte në Manchester United. Lojtari francez është detyruar të largohet nga fusha për shkak të një dëmtimi të meniskut të cilin fillimisht e ka trajtuar me terapi konservatore.

Ai duhej t’i nënshtrohej një operacioni në shtator për të zgjidhur problemin përgjithmonë dhe Max Allegri zbuloi disa javë më parë se fituesi i Kupës së Botës të Francës 2018 do të ishte në dispozicion të Juventusit duke filluar nga janari.

“Mund të premtoj se do të punoj shumë për t’u rikthyer në fushë sa më shpejt që të jetë e mundur për të ndihmuar skuadrën të fitojë fitoret që meritojmë”, tha Pogba për GQ Magazine, cituar nga La Gazzetta Dello Sport.

“Më pëlqen të përballoj sfidat me buzëqeshje në jetë dhe futboll. Dashuria për këtë sport më motivon të jap maksimumin çdo ditë. Jam mësuar të trajtoj thashethemet, pasi e kam filluar karrierën time herët”.

Fansat e Juventusit në Instagram e kanë kritikuar së fundmi për shkak të modelit të ri të flokëve, duke e akuzuar se kalon më shumë kohë në berbere sesa jashtë fushës. “Si atletë ne e dimë se duhet të bashkëjetojmë me lëvdata dhe kritika javë pas jave, duke e ditur se duhet të mbajmë një ekuilibër dhe të fokusohemi në punën tonë”, tha Pogba.

29-vjeçari u kthye në Juventus për një periudhë të dytë në klub këtë verë, pasi kaloi gjashtë sezone në Manchester United. “Zemra ime bëri një zgjedhje, ishte momenti i duhur për t’u kthyer,” shpjegoi ai.

“Tri vitet e fundit në Mançester nuk shkuan ashtu siç doja, kjo nuk është sekret. Jam prekur nga lëndimet. Një rikthim në Juventus ishte një sfidë e madhe për klubin dhe mua. Kam mësuar shumë në Manchester United. Tani unë jam një lojtar tjetër. Duhet të marr më shumë përgjegjësi. Gjatë periudhës sime të parë, kishte shumë lojtarë me përvojë këtu, Pirlo, Buffon Chiellini… Tani jam bërë si ata dhe më takon mua të arrij të njëjtat rezultate për Juventusin”.

Trajneri i Juventusit, Allegri ishte një nga arsyet pse Pogba u kthye në Torino gjashtë vjet pas transferimit të tij prej 100 milionë euro në Old Trafford. “Unë kam pasur gjithmonë një lidhje të fortë me Max, shumë të hapur dhe të sinqertë. Ai më njeh shumë mirë dhe ne kemi folur gjithmonë edhe kur isha në Mançester”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit