E FUNDIT: Tirana, detyrim tamponi për të luajtur të dielën! Në spital edhe arbitra e delegati i ndeshjes në Ballsh

5 Qershor 2020
16:04
Telesport
back button

Klubi i Tiranës do të duhet t’i nënshtrohet testeve të tamponëve për Covid-19 përpara se të zbresë në fushë ditën e dielë, ndaj Luftëtarit, në Gjirokastër.

Pas përballjes në Ballsh ndaj Bylis, ku skuadra bardheblu fitoi me rezultatin 3-1, si pasojë e faktit që sulmuesi i mallakastriotëve, Qardaku, rezultoi pozitiv përpara ndeshjes, procedura dhe protokolli parashikon që edhe te bardheblutë të bëhet medoemos testi për të parë nëse dikush nga lojtarët, stafi teknik apo edhe ai administrativ, janë të infektuar ose jo.

Një procedurë të cilës do t’i nënshtrohet edhe Apolonia, ekipi i Kategorisë së Parë që luajti miqësore me Bylisin përpara një jave. Telesport kontaktoi me klubin bardheblu, që ka vendosur të kryejë testet ditën e shtunë në një spital privat në Tiranë.

Vetëm me çertifikatën mjekësore të rezultateve dhe hetimin epidemologjik të përfunduar, do të marrë “ok” për të zbritur në fushë. Ndërkohë, veç Tiranës, testin duhet ta bëjnë edhe delegatët e ndeshjes dhe arbitrat. Delegati i asaj sfide ishte Besnik Çela, ndërsa arbitri kryesor ishte Eldorado Hamiti dhe virojtës Çokaj dhe Koçiaj. I katërt Bastari.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit