“Tirana dhe Partizani janë vëllezër dhe miq, stadiumin nuk ma lanë prindërit. Dënoj dhunën!”

1 Tetor 2019
18:36
back button

Derbi i kryeqytetit ka mbaruar në fushë dhe në rezultat, por jo jashtë saj, aty ku ka nisur “gjuetia e shtrigave”, në sensin figurativ. Ngjarja e rëndë e ndodhur përpara ndeshjes, kur duhej edhe 1 orë që arbitri Meta të vërshëllente fillimin e takimit Tirana-Partizanit, tifozët bardheblu dhe ata të kuq u konfrontuan mes tyre në pjesën pas porte në tribunat lindore të stadiumit, teksa u desh ndërhyrja e policisë për të shmangur një katrahurë.

Tensioni vijoi me ekspozimin e një koreografie, në tribunën G1, me katër komunistë të varur në litar teksa korbat fluturonin mbi ato. Njëri mbante edhe një yll të kuq pas bluze. Një provokim dhe madje ndikim i madh socio-politik dhe ideologjizma që i përkasin një kohe të shkuar.

Më pas, komunikata e policisë me gropat e hapura pas porte, ku ishte përgatitur edhe një plan për t’i shpërthyer materialet piroteknike (sipas klubitë të kuq, në drejtim të tifozëve të Partizanit).

Drejtori i stadiumit është pezulluar nga detyra, për shkak se organizimi i ndeshjes dështoi, teksa në pritje të komisionit të Disiplinës dhe vendimit të tij, ka folur në “Top Talk”, Top Channel, Refik Halili, presidenti i Tiranës.

“Jemi kundër dhunës, kundër asaj maskarade që ka ndodhur. Unë personalisht, bashkë me stafin rreth 14 punonjës në administratë, kemi bërë një marrëveshje me kompaninë që ka marrë përsipër mbarëvajtjen e ndeshjes. Me këtë kompani, më ka kërkuar minimalisht 100 persona. Unë i kam kërkuar që të më bëjnë skicën, dhe sa do jenë në çdo hyrje. Përveç shkresës 3 ditë para ndeshjes që na ka dërguar, kemi edhe kontratën për marrëveshjen. Ata e kanë për detyrë të kontrollojnë të gjithë. Edhe unë kam kamerat që i shikoj vetë, por kur mbaroi ndeshja, të gjitha kamerat u sekuestruan nga policia. Në bazë të rregullave që ka FSHF, kur bëhet mbledhja 3 orë para ndeshjes, kompania ka detyrim të kontrollojë banderolat nëse nuk duhen shpalosur”.

“Policia ka bërë vërejtje për punën e stadiumit, të cilat disa prej tyre i kemi eliminuar, nuk kanë thënë që nuk e marrin përsipër ndeshjen. Policia nuk futet brenda, sugjeron disa masa. Këto janë gjëra për policinë, sidomos shtimi i disa kamerave, ndriçimi në tunele. Ndarja e disa sektorëve. Është thënë që edhe pas portave, të bëhet betonimi që të mos ketë më gura të vegjël. Kjo ka ngelur pa u bërë pas portave. Kjo ka qenë rreth para 1 muaji, sugjerimi i policisë”.

Sa i përket deklaratës së klubit të Partizanit, Halili tha se “tifozët e Partizanit dhe Tiranës, edhe pse kanë një konflikt sportiv, janë miq me njëri-tjetrin. Unë di që kryetarët e tyre të grupimeve kanë edhe miqësi mes tyre. Ka edhe vëllezër, njëri me Partizanin edhe tjetri me Tiranën. Ai që e ka bërë këtë nga klubi i Partizanit, e ka fyer, dhe presim përgjigjen e specialistëve, sepse kjo do dalë një flluskë. Normale që ka përgjegjësi, por do shohim përgjigjen e policisë. Në bazë të dhënave që kam unë, që janë marrë me organizimin, tifozë thonë se kanë vendosur atje disa tymuese blu, për t’u treguar tifozëve të Partizanit që ky stadium është blu. Kjo vjen sepse unë kam marrë goditje të mëdha, nga tifozët e mi, që kur Partizani u lejua të luajë në atë stadium. 

Atë nuk ma kanë lënë prindërit e mi, por është i shtetit shqiptar, dhe për të respektuar futbollin, e kemi pranuar dhe i kemi respektuar tifozët e Partizanit. Ato kanë qenë tymuese, por sërish çdo njeri trembet kur i sheh ato. Drejtori i stadiumit ka shkuar ka këputur kabullin vetë. Tifozët e Partizanit, atë ditë kanë shkatërruar 180 stola. Janë tifozë, hajde t’i edukojmë. Të mos e dëmtojnë stadiumin. Dhe pse? Sepse pas 29 viteve, në stadium u vendos një orë, një foni pas porte, për ta vlerësuar këtë ndeshje mjaft të rëndësishme. 

Thonin pse fonia është afër nesh, sepse nuk dëgjohet zëri jonë. E dëgjova edhe Olsin Ramën, foli shumë saktë. Të marrim të gjithë përgjegjësinë që të mos ndodhin më këto gjëra”.

Sakaq, mbi shfaqjet e dhunës, numri “1” i Tiranës sqaroi se “brezat e rinj ndoshta e kanë tejkaluar edhe atë që është luftë sportive. Në 10 mijë tifozë që ishin në stadium, unë jam kundër për 2 apo 3 që kanë shfaqur atë. Shumica e tifozëve nuk janë dakord as me sharjet, as me dhunën. Jemi kundër dhunës, dhe nuk mund të përbaltim aq shumë njerëz, apo vajza që kanë ardhur për të mbështetur ekipin”.

“Vendimi i Komisionit të Disiplinës? Jam për një dënim, që të mos dënohet gjithë tifozeria jonë. Dënohet grupimi, ose sektorë të ndryshëm të stadiumit. Shpresoj që të ndodhë kjo, e të mos ketë dënim masiv”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit