Futboll

Tirana e nis mbarë, përmbys Tërbunin në Pukë

Nisje shumë e mirë e Tiranës. Vërtet ka pësuar gol e para, por bardheblutë kanë treguar karakter dhe kanë përmbysur gjithçka në Pukë kundër Tërbunit vendës. Të besuarit e Shkëlqim Muçës kanë dominuar ndeshjen në të gjithë sektorët, duke u treguar kompaktë. Goli i vendësve ka ardhur nga një goditje standarte me anë të Malindit, por pas këtij rasti në fushë janë parë vetëm bardheblutë, që kanë barazuar në fund të pjesës së parë me anë të Gilman Likës. Në pjesën e dytë është shpërblyer edhe japonezi Fukui, ndër më të mirët në fushën e lojës. Tirana mund të kishte fituar edhe më thellë, ndërsa debutuesit pukjanë mund t’i gëzohen vetëm golit të parë të shënuar në Superiore. Në ndeshjen e radhës Tirana udhëton sërish, shkon në Laç, ndërsa Tërbuni luan në Ballsh me Bylisin.

terbuni-tirana

Tërbuni dhe Tirana para fillimit të ndeshjes

Pjesa e parë – Tirana e nis menjëherë në sulm dhe kërkon të shënojë menjëherë, ndërsa Tërbuni duket i çoroditur në minutat e para. Megjithatë, në minutat në vazhdim arrin ta marrë veten dhe krijon mundësitë e para. Por japonezi Fukui, një nga më të mirët e ndeshjes, është i papërmbajtshëm dhe vetëm fati e ndihmon Tërbunin. Kur pritej goli i miqve, vendësit suprizojnë me Malindin, që shënon me kokë pas një goditje këndi, topi gjen cepin e portës, aty ishte Karabeci, por që në tentativë për ta larguar, e fut topin në rrjetë. Reagon menjëherë Tirana. Pas dy rasteve me Gilberton dhe Likën, Fukui reziston në vijën fundore, jep një asist dhe aty Gilman Lika shënon. 1-1 dhe ndeshja është sërish e hapur.

terbuni dhe tirana

Tërbuni dhe Tirana pas përfundimit të pjesës së parë

Pjesa e dytë – Bardheblutë e nisin mirë edhe pjesën e dytë, ku sërish Fukui është protagonist. Tërbuni më shumë mbrohet, ndërsa Tirana nga minuta në minutë rrit presion për të shënuar golin e avantazhit, por mungojnë rastet e pastra. Të dy krahët e Tiranës funksionojnë, sidomos në të majtin me Gilberton. Ndërsa Lika tenton nga distanca, por sfera nuk i bindet. Gilberto ndërron krah dhe del në të djathën. Godet në një tentativë, topi grushtohet nga portieri, por aty vjen furishëm Fukui, që shënon me kokë. Tirana ul disi ritmin, por gjithsesi, nuk mungojnë tentativat, ndërsa Tërbuni është i pafuqishëm para. Minutat e fundit administrohen mirë nga Tirana, përfundon 1-2.

 

KATEGORIA SUPERIORE, JAVA 1

Tërbuni – Tirana 1-2

Shënues: Malindi 23’ / Lika 41’, Fukui 71’

 

Tërbuni: Haxho, Danaj, Brahja, Lila, Rexha, Gavazaj, Gërxho (Tushe 75’), Mone, Malindi, Karapici, Dhrami.

Trajner: Samuel Nikaj

Tirana: Frashëri, Smajli, Muça, Bulku, Gërxhaliu, Teqja, Karabeci, Fukui, Lika (Kërçiku 86’), Vucaj, Gilberto.

Trajner: Shkëlqim Muça

 

Kartonë të verdhë: Danaj 1′, Peqini 55’ / Gilberto 47’, Karabeci 79’

Gjyqtarë: Bardhyl Pashaj, Ilir Tartari, Nertil Bregasi, Laver Alla

Më shumë nga Futboll