Tirana ende në fije të perit, Halili habit: Kam firmosur me 4 lojtarë!

6 Maj 2019
10:34
Eraldo Harlicaj
back button

Presidenti i Tiranës, Refik Halili, ishte i ftuar mbrëmjen e së dielës në emisionin "Zona Gol", në "Supersport". Numri një i klubit bardheblu foli gjerë e gjatë në lidhje me situatat që po kalon skuadra e tij, por i habiti të gjithë kur tha se kryeqytetasit kanë firmosur me 4 futbollistë cilësorë. 

Tirana po mundohet ta kalojë këtë fazë të vështirë dhe duket se ka filluar të mendojë që tani për sezonin tjetër. Kupa mbetet objektiv i bardhebluve që duan të kapin Europën. Situatë e vështirë, pasi në njërën anë është qëndrimi në Superiore, ndërsa në krahun tjetër ambiciet për pjesëmarrjen europiane. "Kemi nënshkruar me 4 futbollistë shumë të rëndësishëm në Shqipëri. Nuk dua t’i bëj publik për momentin emrat. Do bëjmë të pamundurën që të shkojmë në nivele ku ka qenë klubi në të kaluarën", – u shpreh Halili në lidhje me projektimin e ekipit të ri. 

Derbi nuk mund të mbetej jashtë diskutimeve, pasi Tirana ka shumë kohë që nuk fiton një ndeshje ndaj Partizanit. "Mendjen e kemi te ndeshja e radhës në Kupë. Përsa i përket derbit, nuk është nevoja që t’u themi futbollistëve për rëndësinë e kësaj ndeshjeje. Në derbi futbollistët janë 10-fish të impenjuar. Mendoj se skuadra do të ketë një mobilizim akoma dhe më të madh për vetë fakt të pozitës jo të mirë që kemi në klasifikim”.

Halili rrëfen se ka nisur kontaktet me Bashkinë dhe mirëpret aksionerin e ri që mund të vijë. "Bashkia e ka parë se në futboll nuk ka fitime dhe kanë menduar që të nxjerrin në shitje pjesën e tyre të aksioneve.  Aksionet kur të dalin në shitje, do të kenë me vete dhe pjesën e borxhit. Borxhi është rreth 900 milionë lekë të vjetra. Mua nuk më kanë kontaktuar njeri për të marrë mendim si zotërues i 66% të aksioneve. 

"Kushdo që të jetë unë garantoj që do të ketë një raport të shkëlqyer me mua. Do jem bashkëpunues i sinqertë. Kam pasur kontakte me biznesmenë që janë shumë të njohur në Shqipëri. I kam shpjeguar bilancet, të ardhurat dhe borxhin e klubit. Më kanë kontaktuar dy kompani të fuqishme, por ndoshta janë konsultuar dhe me bashkinë. Unë jam i bindur se ne mund të gjenerojmë të ardhura të shumta nëse Tiranës do t’i jepen asetet si fusha e aneksit, parkingu përballë stadiumit”.

Dënimet e Komisionit të Disiplinës nuk mund të qëndronin jashtë vëmendjes së Halilit, pasi Tirana është një ndër ekipet më me shumë gjoba financiare për shkak të tifozëve. "Përsa i përket dënimeve kemi qenë klubi më i persekutuar ndër vite. Ndër vite dënimet e tifozëve na kanë kushtuar rreth 240 milionë lek të vjetra. Janë përdorur dy standarde, klube të tjera janë dënuar me vetëm një ndeshje".  

Lajme të tjera

Lajmet e fundit