Volejboll

Tirana fiton derbin me Partizanin dhe kryeson e vetme kampionatin

Java e dytë e Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për femra ka dhuruar mjaft surpriza e emocione, ku spikat humbja e parë e skuadrës kampione të Partizanit, që u mund 3-1 nga Tirana në derbin kryeqytetas. Një ndeshje e dobët e skuadrës së “kuqe”, që edhe pse fitoi një set nuk ishte në gjendje të përballojë ritmin e lojës së diktuar nga volejbollistet bardheblu. Lojtaret e trajnerit Gorenxa bënë një ndeshje të shkëlqyer, duke i dhënë një leksion të mirë Partizanit kampion edhe pse të kuqtë kanë një ekip të transformuar nga ai i sezonit të kaluar.

Edhe pse Tirana humbi setin e tretë, i vetmi ku Partizani tregoi forcën e tij, skuadra bardheblu ishte superior në shumicën e kohës dhe në tri setet e fituara dominoi me lojën e saj. Seti i parë, i dytë dhe i katërt u kontrolluan vazhdimisht nga Tirana, që shkëputej nga pika në pikë dhe fitoi me diferenca, duke e merituar fitoren. Sukses që ngjit Tiranën të vetme në krye të renditjes pas dy javëve të para me 6 pikë të plota.

Fiton edhe ekipi i Barleti Volley, që mundi me lehtësi 3-0 Vllazninë në “Asllan Rusi”, ndeshje e dominuar nga volejbollistet kryeqytetase, që në të trija setet ishin superiore në fushë, duke e merituar fitoren. E njëjta situatë edhe në Rrëshen, ku skuadra e Mirditës mundi me lehtësi 3-0 Teutën, ndeshje në sens unik në të trija setet. Vendaset zhvilluan një lojë të mirë dhe nuk zhgënjyen para fansave të shumtë që ndodheshin në sallën sportive “A.Arapi”, ku rikthehet volejbolli elitar. Suksesin e parë në kampionat korri Skënderbeu, që në Korçë mundi me lehtësi 3-0 Lushnjën e vendit të fundit. Mikeshat myzeqare tentuan të rivalizojnë, por pa sukses, duke mos arritur dot të fitojnë as edhe një set.

Volejboll – Femra Grupi A1, Java e 2-të (13 tetor)

Mirdita – Teuta, 3-0 (25-12, 25-15, 25-16)

Skënderbeu – Lushnja, 3-0 (25-12, 25-18, 25-18)

Barleti Volley – Vllaznia, 3-0 (26-24, 25-16, 25-13)

Tirana – Partizani, 3-1 (25-16, 25-19, 19-25, 25-19)

Renditja: Tirana 6 pikë (2/0), Barleti Volley 5 pikë (2/0), Mirdita 4 pikë (1/1), Partizani 3 pikë (1/1), Teuta 3 pikë (1/1), Skënderbeu 3 pikë (1/1), Vllaznia 0 pikë (0/2), Lushnja 0 pikë (0/2).

Më shumë nga Volejboll