Tirana i druhet transfertës korçare: Kemi lënë pikë me skuadrat që janë në fund

26 Nëntor 2021
12:36
Alfred Lleshi
back button

Skënderbeu kundër Tiranës, fundi kundër kreut aktual të Superiores. Migen Memelli kundër Orges Shehit, dy lojtarë që kanë luajtur me kundërshtarin e nesërm si futbollistë. Në emër të bardhebluve kryeqytetas ka dalë në konferencën e zakonshme para ndeshjes ndihmësi i Shehit, Erbim Fagu, i cili ka nënvizuar para gazetarëve:

“Skënderbeu është paraqitur mirë, por ne vijmë nga një humbje me Kukësin dhe do të japim maksimumin për të marrë tri pikët e vazhduar udhëtimin tonë në krye. Ne i kemi marrë pikët maksimale me rivalët direktë. Kemi lënë pikë me skuadrat që janë në fund të kualifikimit. Nuk kemi pengje, sepse lojërat tona kanë qenë në rritje. Kjo është pozitive për skuadrën dhe stafin.

Memelli është trajner i ri, që ka bërë mirë. Ka qenë pjesë e Tiranës, por çdo gjë ndryshon. Kemi planin tonë, e kemi ndërtuar strategjinë për nesër sipas kundërshtarit. Humbja ndaj Kukësit nuk është se na ka ulur moralisht, por erdhi në një moment që ishim vërtet mirë. Lodhja që pësuam në ndeshjen ndaj Dinamos ndikoi. Zhvilluam një lojë të dobët dhe humbja erdhi për shkak të saj. Në futboll edhe do humbësh, por ne kemi lojtarë të rinj e me karakter, që do të reagojnë.

Tirana është mësuar që të jetë gjatë gjithë kohës nën presion. Është e vërtetë që shumë veta kanë pritur që Tirana të humbasë, por kemi lojtarë me karakter të fortë. Pas humbjes me një rival direkt, do të japim përsëri maksimumin. Futemi në çdo ndeshje për të dhënë maksimumin”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit