Ka përfunduar në Farkë eventi i parë sportiv i volejbollit për sezonin 2023-2024, Kupa e Federatës. Skënderbeu për femra dhe Tirana për meshkuj janë dy ekipet fituese të këtij eventi, ku morën pjesë katër skuadrat më të mira të sezonit të kaluar, që ashtu sikurse pritej dhuruan emocione në fushë.
Te femrat, Skënderbeu fitoi 3-1 ndaj Partizanit kampion (25-23, 20-25, 25-21, 25-20), duke u hakmarrë për titullin humbur vjet. Një ndeshje në përgjithësi e ekuilibruar në të katërta setet, ku ekipet dueluan fort për çdo pikë. Gjithçka u vendos në pikët e fundit, ku vajza korçare u treguan më të sakta.
E fortë edhe finalja e meshkujve, ku Tirana kampione mposhti 3-0 (25-20, 27-25, 25-21) Erzenin, një sfidë me emocione deri në fund. Mjaft i bukur seti i dytë, vendosur në pikët shtesë, ndërsa në dy setet e tjera bardheblutë patën një epërsi të lehtë, duyke e merituar fitoren dhe trofeun e parë sezonal.
Kupa e Federatës-Meshkuj
Tirana – Vllaznia, 3-0 (gjysmefinale)
Partizani – Erzeni, 0-3 (gjysmefinale)
Tirana – Erzeni, 3-0 (finale)
Kupa e Federatës-Femra
Partizani – Vllaznia, 3-0 (gjysmefinale)
Skënderbeu – Tirana, 3-1 (gjysmefinale)
Partizani – Skënderbeu, 1-3 (finale)