Tirana luan kundër Taulant Seferit dhe ish-rivalit të Skënderbeut në grupe

18 Shtator 2020
14:43
Alfred Lleshi
back button

Kujtojmë se Yong Boys është kampioni i Zvicrës në fuqi, ndërsa më herët ka luajtur në fazën e grupeve të Ligës së Europës edhe kundër Skënderbeut. Me saktësisht, dy herë, më 28.09.2017 në “Elbasan Arena”, ku ka barazuar 1-1 dhe pastaj në shtetin helvet, ku ka fituar 2-1, më 7.12.2017. Asokohe, të dyja skuadrat bënin pjesë në grupin B të Ligës së Europës, së bashku me Dynamo Kyiv dhe Partizani i Beogradit.

Në Zvicër, ashtu si në vendin tonë, nuk ka filluar ende kampionati kombëtar. Pra, në këtë drejtim, kundërshtari i Tiranës nuk ka ndonjë favor të praktikës së ndeshjeve, por në emra dhe cilësi, sigurisht që qëndron më lart. Bëhet fjalë për një klub të themeluar që në vitin 1898, me seli në Bernë. Stadiumi i tij quhet “Stadion Wankdorf” dhe ka një kapacitet prej 31783 tifozësh.

Sa iu përket trofeve, 3 herë ka fituar titullin e “Super League”, pra të elitës së futbollit zviceran; 1 herë titullin e një kategorie më poshtë dhe 1 herë Kupën e Zvicrës. Në radhët e Yong Boys militon edhe futbollisti ynë i kombëtares, Taulant Seferi. Po kështu, në radhët e verdhezinjëve helvetë luan edhe Miralem Sulejmani, një futbollist profesionist, pjesë e kombëtares së Serbisë, por me rrënjë shqiptare.

Sipas “Transfermarkt”, kundërshtari i Tiranës vlen 60 milionë euro, ndërsa skuadra e presidentit Refik Halili vetëm 4.5 milionë euro. Futbollisti më i shtrenjtë i skuadrës helvete është Jean-Pierre Nsame, kartoni i të cilit kushton 7 milionë euro, ndërsa i bardhebluve Kristjan Tozhevski, mbrojtësi i djathtë maqedonas, që vlen 500 mijë euro.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit