Tirana me fat në shortin e Champions-it, mëson kundërshtarin “modest”

14 Qershor 2022
12:31
Alfred Lleshi
back button

U hodh sot në mesditë, në Nyon të Zvicrës shorti i raundit të parë kualifikues të Champions League 2022-2023. Gjithçka ndodhi në Shtëpinë e Futbollit Evropian, UEFA.

Tirana, kampionia e Shqipërisë, pati fat me goglat. Bardheblutë u vendosën përballë F91 Dudelange, ekipit homolog kampion të Luksemburgut. Pra, shanset për ta kaluar këtë raund nga skuadra e Orges Shehit janë të mëdha. Ndeshja e parë do të luhet në transfertë për bardheblutë, më 6 korrik, ndërsa sfida e kthimit në “Arena Kombëtare”, më 13 korrik.

Sa i takon kampionit të Kosovës, Ballkanit, që merr pjesë për herë të parë në Champions League, ai do të përballet me Zalgiris të Lituanisë. Fat për të, duke nënvizuar se ka evituar rivalë si Malmo dhe Bodo/Glimt. Skuadra nga Suhareka do të jetë pritëse në ndeshjen e parë (5 ose 6 korrik). Shkupi, ekipi kampion i Maqedonisë së Veriut, do të sfidojë Lincoln Red Imps nga Gjibraltari, me sfidën e parë do ta zhvillojë në shtëpi.

Gjatë shortit, ekipet ishin ndarë në tri grupe me nga dhjetë pjesëmarrës, në përputhje me renditjen e koeficientit të klubeve. Shorti përfshinte 29 skuadra, që marrin pjesë në këtë raund (kampionët e federatave u renditën nga 22 deri në 51, sipas koeficientit të klubit përkatës dhe federatës, përveç Lihtenshtajnit), dhe një fitues i raundit paraprak.

Skuadra e parë e tërhequr në çdo gogël të shortit do të jetë vendase në ndeshjen e parë. Çfarë ndodh më pas? Fituesit e raundit të parë kualifikues kalojnë në raundin e dytë. Skuadrat e mposhtura transferohen në raundin e dytë kualifikues të “Conference League”.

Ja të gjitha çiftet:
Pyunik (ARM) – CFR Cluj (ROU)
Maribor (SVN) -Shakhtyor Soligorsk (BLR)
Ludogorets Razgrad (BUL) – Sutjeska Nikšić (MNE)
Diddeleng (LUX) – Tirana (ALB)
Tobol (KAZ) – Ferencváros (HUN)

Malmö (SWE) – Fituesi i raundit preliminar
Ballkani (KOS) vs Žalgiris (LIT)
HJK (FIN) – RFS (LVA)
Bodø/Glimt (NOR) – KÍ (FRO)
The New Saints (WAL) – Linfield (NIR)

Shamrock Rovers (IRL) – Hibernians (MLT)
Lech Poznań (POL) – Qarabağ (AZE)
Shkupi (MKD) – Lincoln Red Imps (GIB)
Zrinjski (BIH) – Sheriff (MDA)
Slovan Bratislava (SVK) – Dinamo Batumi (GEO)

Cilat janë datat kryesore të kualifikueseve?

15 qershor: Shorti i raundit të dytë kualifikues

21 qershor: gjysmëfinalet e raundit paraprak

24 qershor: Finalja e raundit paraprak

5/6 korrik: Ndeshjet e para të raundit të parë kualifikues

12/13 korrik: Ndeshjet e dyta të raundit të parë kualifikues

18 korrik: Shorti i raundit të tretë kualifikues

19/20 korrik: Ndeshjet e para të raundit të dytë kualifikues

26/27 korrik: Ndeshjet e dyta kualifikuese të raundit të dytë

2 gusht: Shorti i raundit të “play-off”-it

2/3 gusht: Ndeshjet e para të raundit të tretë kualifikues

9 gusht: Ndeshjet e dyta të raundit të tretë kualifikues

16/17 gusht: Ndeshjet e para të raundit “play-off”

23/24 gusht: Ndeshjet e dyta të raundit “play-off”

Laçi dhe Partizani në “Conference League”
Laçi do të sfidojë Iskra Danilovgrad nga Mali i Zi. Bardhezinjtë e Shpëtim Duros do ta luajnë ndeshjen e parë në Shqipëri, më 7 korrik. Partizani do të ndeshet ndaj Saburtalo, ekip gjeorgjian dhe ndeshjen e parë e zhvillon në transfertë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit