Tirana, në kufi të amatorizmit: Mema ishte vetëm një gabim i radhës!

25 Tetor 2019
17:24
back button

Shkarkimi i trajnerit Ardian Mema te Tirana nuk ka befasuar askënd: as tifozët, as trajnerin, as futbollistët dhe, ajo çfarë është më e keq, as mediat! Ishte thjesht një akt i detyruar, ose më saktë, i shtyrë, duke fituar një kohë që u kthye në armik. Mema ishte i shkarkuar pas barazimit 2-2 ndaj Flamurtarit në Vlorë. Vetë presidenti Halili do të fliste jo mirë për mënyrën se si po shkonin gjërat.

Mbledhje urgjente pas barazimit me Flamurtarin, që mbushi kupën duke përfshirë humbjet me Kukësin dhe Partizanin. Drejtuesit, madje, zgjodhën e pasardhësin e Memës: Julian Ahmataj! Por, një problem jo i vogël u shfaq. Trajneri Mema nuk pranoi të dorëhiqej, siç ishte edhe normale duke parë renditjen e ngjeshur dhe ku askush nuk është arratisur.

Kështu, dy javët e ndërprerjes së kampionatit për shkak të kombëtareve, nuk u shfrytëzuan për trajnerin e ri, pasi vazhdonte të drejtonte i vjetri, ose siç i thonë në gjuhën angleze “dead man walking”, një fantazëm që e di fatin e tij. Dhe vijmë te pika kulmore: futbollistët i kishin kthyer shpinën trajnerit Mema, ose të paktën gjysma e tyre. Përveç masave disiplinore për futbollistë si Hoxhallari (pas derbit) apo edhe Imami, kishte edhe një çështje “Doka”. Senatorët në një anë, të rinjtë në një tjetër. Një amulli që nuk u zgjidh dot as nga presidenti Halili, i akuzuar shpesh për bujarinë e treguar.

Rikthehet kampionati dhe Tirana luan me Laçin, fiton me vështirësi 2-1 dhe duket sikur ajo që kishte ndodhur dy javë më parë ishte thjesht një ëndërr e keqe. Nuk është ashtu: vjen humbja në Ballsh ndaj Bylisit dhe trajneri më në fund plas deklaratën që priste me kohë ta bënte. “Nuk kanë të bëjë trajneri te golat e pësuar! Të pësosh në goditje standarte ku nuk luan askush është e turpshme!”.

Ardi i bën gropën vetes, por edhe Tiranës, duke i treguar presidentit se sa amatorizëm u bë në menaxhim, duke nisur një sezon me një trajner që bardheblutë sezonin e shkuar e morën për të mbyllur edicionin pa shumë gjakëderdhje pasi projekti nisi fillimisht me Ze Maria dhe “u fundos” shumë shpejt… Ahmataj merr drejtimin e ekipit dhe nis një tjetër projekt teknik: i treti në dy vjet!

Lajme të tjera

Lajmet e fundit