Tirana “ngec” në derbi, por Halili premton “ëndrrën”

1 Mars 2019
20:33
back button

Duket se Refik Halili ka bërë magjinë e radhës përballë tifozëve të Tiranës, që pavarësisht rebelimit të herë pas hershëm, vazhdojnë të dorëzohen përballë kryeaksionerit bardheblu, që fitoi këto pozita pikërisht falë mbështetjes së tyre.

Një qokë reciproke mes të dy palëve, me bardheblutë që në këtë derbi ndaj Partizanit u rikthyen të mbushin shkallët e stadiumit “Selman Stërmasi”, ndërsa Halili, nuk harron të bëjë të tijën, të falenderojë tifozët dhe të vlerësojë kontributin e tyre, madje i mërzitur për mungesën e fitores vetëm për ata, jo specifikisht për ato dy pikë të humbura.

“Do ishte mirë që ndeshja të fitohej. Ky është futbolli. Të tre rezultatet janë brenda. Më vjen keq për tifozët, për këtë mbështetje dhe gjithçka që kanë bërë gjatë të gjithë kësaj kohe”, deklaroi Halili.

“Shpresojmë ti kënaqim herë tjetër. Kënaqje do të ishte të merrnim fitore. Unë kam bërë një pakt me skuadrën. Kam folur me skuadrën, kemi bërë një pakt. Kemi bërë një bisedë para ndeshjes me Kukësin”, komentoi kryeaksioneri bardheblu. 

“Them se ia kanë arritur deri diku. Nëse sot do të kishin fituar, atëherë do të ishin me notën 10. Jam i bindur se do të arrijmë në Europë. Edhe atë merak që kanë njerëzit do ta arrijmë sa i përket licencimin. Do ta përballojmë edhe atë gjobë të tmerrshme”, u shpreh Halili. 

“Pyesni ata që duan të blejnë aksionet. Unë jam i hapur dhe i gatshëm për çdo bashkëpunëtor. E rëndësishme është që të ketë aksionerë të tjerë”, përfundoi Refik Halili.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit