Tirana përmbys kurbinasit në shtëpi, “skuqet” përballja mes Bylisit dhe Kukësit

13 Janar 2023
15:08
Alfred Lleshi
back button

U luajtën dy ndeshjet e para të vitit 2023, në kuadrin e javës së 16-të të Superiores. Në Ballsh ishin mysafirë kuksianët e drejtuar nga Rrahman Hallaçi, të cilët dolën me një pikë të çmuar.

Pavarësisht përpjekjeve dhe tensionit, teksa dy skuadrat e mbyllën lojën me nga 10 lojtarë, kjo sfidë nuk pati gola. Kjo përplasje direkte i lë të dyja skuadrat në pozitat që kishin në klasifikimin momental, të ndara vetëm nga një pikë diferencë, afër vendit të fundit.

Në transfertën kurbinase ka triumfuar Tirana, e cila ia ka dalë ta përmbysë disavantazhin e hershëm qysh në minutën e dytë. Thuajse nga “tuneli”, Laçin e ka kaluar në avantazh Shkurtaj (2′), por gjithçka ka mbaruar këtu për bardhezinjtë, sa i takon takimit me rrjetën kundërshtare.

Bardheblutë kanë reaguar si duhet dhe në fundin e shtesës së pjesës së parë (45+4′) kanë barazuar me Bruno Lulajn. Një ish-lojtar i Laçit ky, që ka vendosur barazpeshën, edhe pse luan mbrojtës. Pjesa e dytë ka nisur mjaft mbarë për Tiranën, sepse ka siguruar avantazhin e qetësisë qysh në minutën e 47-të, me autor Hasanin.

Një pikë kthese për kryeqytetasit, që tashmë mendojnë së pari të mbrojnë fitoren e çmuar, duke tentuar t’i ndëshkojnë kurbinasit sërish me kundërsulm. Skuadra bardhezi është përpjekur të evitonte humbjen në shtëpi, por nuk ia ka dalë.

Meritë kjo e prapavijës bardheblu, e pakalueshme. Tri pikë të arta për Tiranën, që konsolidon vendin e dytë me 28 pikë. Nga ana tjetër, Laçi mbetet i gjashti me 20 pikë.  


Standings provided by Sofascore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit