Tirana pranë titullit kampion, kapiteni thirrje klubit: Egbo duhet të qëndrojë, ky është ekipi i tij!

30 Qershor 2020
13:42
Telesport
back button

Tirana është një hap larg titullit kampion dhe thuajse “e ka prekur” trofeun pas një kohe tepër të gjatë (11 vjet), por kapiteni Gentian Muça përpiqet që të mbajë këmbët në tokë dhe fokusohet te ndeshja me Kukësin.

I ftuar në “Pressing” te ABC News, mbrojtësi lider ka konfirmuar se përmbysja me Skënderbeun në Korçë nuk është rastësi por e pesta këtë sezon nën drejtimin e Egbo: “Po ju jap një statistikë, kemi pesë ndeshje të kthyera. Kjo bën diferencën me të gjitha skuadrat. Kemi pasur motivim, kemi sakrifikuar dhe ia kemi dalë”.

“Nuk ka mbaruar akoma kampionati. Ndeshje me Skënderbeun kishte rëndësi të veçantë, pasi ka pasur presion. Jemi skuadër që e do titullin me çdo kusht. Qetësia nuk është e mëparshmja, fundi ka emocionet e veta. Rikthimi në pjesën e dytë ishte i rëndësishëm”.

“Video motivuese? Për videon nuk e dinim. Heshtëm kur e pamë. Donim të futeshim direkt në fushë. Ishim në hotel në ato momente. Por, surprizën tjetër na e bënë edhe tifozët që ndodheshin jashtë hotelit”.

Sakaq, mbrojtësi bardheblu foli edhe për trajnerin Emanuel Egbo duke bërë krahasim me Gegën te Partizani dhe ajo që ndodhi në fund të sezonit. Një mesazh drejtuar klubit të tij që të mos bëjë të njëjtin gabim…

“Ajo që shoh kontradiktore te kritikat e shumta është se Skënder Gega më shumë u vlerësua kur iku nga Partizani. Ai e nxori kampion dhe u vlerësua. Pse duhet Tirana ta zëvendësojë Egbon. Vetë ai u prezantua si trajner i përkohshëm dhe më pas u konfirmua, të paktën deri në fund të sezonit.

Kur kritikojmë dikë pse e largon trajnerin kampion, pse ta heqin. E them me bindje të plotë se kjo është Tirana e Egbosë, pa u hequr merita Memës dhe Ahmatajt. Kur dikush të jep sukses, pse duhet t’i kthehemi probleme të shkuara. Kontribut kanë edhe të tjerët. Ahmataj me hodhi në fushë titullar dhe e falënderoj. Pas ndeshjes me Kukësin ishim në vend të tetë. Ajo javë, nga në dhe ku ishim, shkuam në qiell. Fituam pastaj edhe në Laç dhe pastaj nisëm të meritonim të quheshim Tirana”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit