Tirana prish festën e Besëlidhjes, bardheblutë fitojnë finalen e tretë dhe rihapin garën për titullin

26 Prill 2023
21:24
Telesport
back button

Tirana në basketboll për meshkuj fitoi mbrëmjen e sotme 76-63 ndaj Besëlidhjes në finalen e tretë play off, ndeshje e luajtur në “Asllan Rusi”, duke rihapur garën për titullin kampion. Te skuadra lezhjane, pas avantazhit 2-0 me ndeshje, ishin përgatitur për të festuar titullin e parë kampion në histori, por bardheblutë u prishën festën.

Një sfidë që u vendos në periodën e katërt, aty ku kryeqytetasit bënë shkëputjen e mjaftueshme për të administruar ndeshjen dhe e merituan fitoren. Në një pallat sporti të mbushur plot, të dyja ekipet dhuruan një ndeshje të mirë edhe pse gabimet e pranueshme në një finale të tillë të tensionuar ishin të shumta, sidomos te Besëlidhja.

Te lezhjanët këtë herë nuk funksionuan gjuajtjet nga distanca, që në dy sfidat e para ishin  arma kryesore e fitores, ndërsa Tirana vijon të dominojë në lojën nën tabelë. Gerard me 22 pikë ishte shënuesi më i mirë për Tiranën, mbështetur nga Hamati me 18 pikë e Hysenagolli me 14 pikë e 17 rebound.

Te besëlidhja u dallua Bernard me 20 pikë e Robinson me 16, ndërsa pjesa tjetër nuk dha atë që pritej. Gjithsesi, Besëlidhja udhëheq 2-1 serinë e takimeve finale, ndërkohë që ditën e shtunë pritet të luhet në “Feti Borova” finalja e katërt.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit