TIRANA RIFUTET NË GARË PËR TITULL, Teuta ngec në Ballsh (VIDEO)

7 Mars 2021
14:57
Telesport
back button

Tirana ka marrë fitoren e tretë radhazi ditën e sotme në përballjen ndaj Kastriotit, duke u rifutur në garën për titull, pasi Vllaznia e vendit të parë është vetëm 6 pikë larg tashmë. Në ndeshjen tjetër, Teuta ngeci në barazim 1-1 ndaj Bylisit, duke bërë një haps fals.

Sfida në Kamëz nisi mjaft mirë për Tiranën, që mori avantazhin në minutën e 20’. Sokol Neziri preku një top me dorë në zonë dhe arbitri akordoi 11-metërsh. Te pika e bardh u paraqit Taulant Seferi, i cili goditi saktë dhe çoi shifrat në 0-1.

45 minutat e para u mbyllën me avantazhin e bardhebluve, të cilët edhe pjesën e dytë e nisën shumë mirë. Erion Hoxhallari shënoi një perlë të vërtetë në minutën e 59’, teksa çoi në trekëndësh një goditje dënimi, duke mos i dhënë mundësi reagimi portierit Isli Hidi.

Kastrioti arriti të reagonte në minutën e 67’, ku ishte i zakonshmi Deivid që shënoi. Braziliani shfrytëzoi një krosim perfekt nga krahu i majtë dhe ndali topin në rrjetë pas një goditje me kokë. Deri në fund, Tirana administroi mjaft mirë, duke marrë një fitore me vlera 1-2.

Nga ana tjetër, në Ballsh, Teuta mori avantazhin në minutën e 30’ me anë të Dejvi Bregut, që shndërroi në gol një 11-metërsh. Megjithatë, vendasit e Bylisit reaguan vetëm 8 minuta më vonë me anë të Anthony Bedji, që ndëshkoi portierin Frashëri, duke çuar shifrat në 1-1.

Durrsakët u munduan deri në fund të dilnin me 3 pikë nga transferta ballshiote, por edhe fati ishte kundër, pasi në minutën e 91’, Silvio Zogaj goditi edhe shtyllën. Gjithçka u mbyll 1-1, me Teutën që bën një hap fals në garën për titull.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit