Tirana shpallet fituese e Kupës së Shqipërisë, mposht Erzenin në finale

11 Mars 2023
21:56
Telesport
back button

Tirana është shpallur sot fituese e Kupës së Shqipërisë në volejboll për meshkuj. Bardheblutë e trajnerit Sako mundën 3-1 në finale ekipin e Erzenit, ndeshje e luajtur në Farkë, në prani të shumë shikuesve, që shijuan një ndeshje me rivalitet.

Fitore e merituar e skuadrës së Tiranës, që mban edhe titullin kampion në fuqi, në një ndeshje që e dominoi shumicën e kohës. Shijakasit u përpoqën të rivalizojnë, por pa mundur të ndalin bardheblutë, duke u detyruar të dorëzohen në fund.

Tirana e nis më mirë takimin, ka epërsi në setin e parë, ku fiton 25-18. Në setin e dytë loja është mjaft dramatike, ku pas shumë barazimesh, Erzeni fiton në shtesë 28-26. Gjithsesi, në setin e tretë Tirana rimerr frenat e lojës, duke fituar 25-21.

Bardheblutë dominojnë edhe në setin e katërt, ku shkëputen që në fillim e fitojnë 25-19 e krejt ndeshjen 3-1. Festë për tifozët bardheblu që gëzojnë bashkë me skuadrën fitimin e këtij trofeu, duke qenë pretendent edhe për titullin kampion.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit