Tirana shpallet kampione e Shqipërisë në volejboll për meshkuj, mund Partizanin në finalet play off

23 Prill 2023
21:22
Telesport
back button

Ekipi i Tiranës është shpallur sot në mbrëmje kampion i Shqipërisë në volejboll për meshkuj për sezonin sportiv 2022-2023. Bardheblutë e drejtuar nga trajneri Arben Sako mundën në finalen e katërt play off 3-2 rivalët e Partizanit në derbin kryeqytetas, duke fituar 3-1 me ndeshje. Tirana mbron kështu titullin kampion fituar vjet, duke u konfirmuar edhe këtë sezon si skuadra më e mirë.

Në setin e parë, në fushë komandon skuadra e Partizanit, ndjeshëm superiore, duke fituar 25-17. Nuk mungon rikuperimi i Tiranës, që rikthen ekuilibrin në setin e dytë, ku dominon e fiton 25-22. Madje bardheblutë kanë mundësinë të fitojnë edhe në setin e tretë, ku gabojnë në fund, duke i dhënë mundësi Partizanit të fitojë 26-24 në pikët shtesë.

Në setin e katërt loja është sërish e ekuilibruar, por bardheblutë shkëputen në pikët e fundit e fitojnë 25-21, duke barazuar sëriosh shifrat e seteve. 2-2 dhe gjithçka vendoset në setin final, ku në fushë dominon Tirana. Bardheblutë shkëputen 8-2 e fitojnë 15-5 si dhe krejt takimin 3-2, duke u shpallur kështu kampionë të Shqipërisë për sezonin 2022-2023.

Kështu, Tirana nis festën dhe ngre sërish lart trofeun e kampionit, duke u konfirmuar në elitë. Edhe Partizani bëri një sezon të mirë, duke qenë gjatë gjithë kohës në vendin e parë, por në finalet play off gaboi dhe humbi pikërisht në fund.

Finalet play off-meshkuj

Nd.1, Partizani – Tirana, 1-3

Nd.2, Tirana – Partizani, 3-2

Nd.3, Partizani – Tirana, 3-0

Nd.4, Tirana – Partizani, 3-2

Lajme të tjera

Lajmet e fundit