Tirana-Flamurtari, Pollozhani: Probleme financash? Ne shohim objektivat, nuk merremi me fjalë!

22 Janar 2019
13:01
Anton Cicani
back button

Pasi janë mbyllur përgatitjet e fundit për rinisjen e sezonit (janë zhvilluar miqësore për të provuar lojtarë dhe gjendjen e kontigjentit këto javë) Tirana dhe Flamurtari do të zbresin në fushë në përballjen e tyre të Kupës së Shqipërisë, faza 1/8-ve të finales.  Bëhet fjalë për një supersfidë e cila do të zhvillohet në "Selman Stermasi" në orën 17:00.

Kjo është ndeshja e parë zyrtare si për bardheblutë, ashtu edhe për kuqezinjtë. Tirana mbërrin në këtë fazi pasi ka eliminuar Ilirinë e Fushë-Krujës me dy fitore të thella 4-0 dhe 4-1, ndërsa Flamurtari është dashur të vuajë jo pak ndaj Shkumbinit, edhe pse e ka mundur në të sfidat me rezultatin minimal 1-0.

Në konferencën për shtyp përpara takimit me Tiranën, në Vlorë është paraqitur veterani i Flamurtarit, Artim Pollozhani, që është dukur i qeshur dhe i qetë. Në fakt, përpos gjendjes së vështirë që po kalohet te kuqezinjtë, mes vonesave të rrogave dhe të ardhmes që mbetet një "rebus", mbrojtësi 36 vjeçar u mundua të "driblonte" me diplomaci:

"Jemi këtu për të folur për ndeshjen ndaj Tiranës dhe Kupën, jo për situatën jashtë futbollit. Grupi është i bashkuar dhe për një objektiv. Janë persona të tjerë, apo drejtuesit, ato që duhet të japin përgjigje. Keni marrë sqarime dhe do të vazhdoni t'i merrni. Ne nuk flasim për garanci, pasi vëmendja është te Kupa".

Më pas, Pollozhani u ndal edhe te përgatitjet dhe sfida me ish-trajnerin e Flamurtarit, Mema, edhe pse qëndroi pak kohë. "Jemi përgatitur mjaft mirë dhe miqësoret na kanë ndihmuar në këtë sens. Tirana nuk meriton renditjen që ka aktualisht, ndaj duhet t'i respektojmë maksimalisht. Memën e kemi pasur shumë pak këtu, por në pak kohë i ka dhënë Tiranës atë mentalitet fituesi, duke qenë se e njeh atë ambjent".

"Bëhet fjalë për dy sfida, vajtje-ardhje, ndaj edhe nuk mbaron asgjë pas këtij 90 minutëshi. Kemi disa mungesa, arsye dëmtim apo probleme shëndetësore".

Sa i përket pikës më të fortë të kuqezinjve, Pollozhani komenton: "Pika më e fortë është grupi dhe fakti që kemi cilësi. Urojmë të arrijmë objektivat që kemi përcaktuar".

I pyetur edhe mbi faktin se përballja në kampionat do të jetë ndaj Teutës dhe ndoshta fakti që durrsakët kanë një kundërshtar më të lehtë në letër në Kupë (përballë Lushnjes) mund t'i favorizojë, Pollozhani tha: "Nuk mendojmë për ndeshjen e kampionatit por vetëm Tiranën dhe Kupën. Sigurisht, që Teuta e ka më te lehtë se ne në letër kjo tashmë është e qartë".

Lajme të tjera

Lajmet e fundit