Tjetër dështim kuqezi, kombëtarja mposhtet thellë në Durrës edhe nga Sllovenia

14 Nëntor 2021
20:45
Telesport
back button

Kombëtarja e femrave në basketboll është mundur sot në mbrëmje 127-28 nga Sllovenia, ndeshje e vlefshme për fazën eliminatore të Kampionatit Europian të Basketbollit (Eurobasket Women 2023). Ndeshja e luajtur në mjediset e akademisë Dhimitraq Goga në Durrës ishte po aq e shëmtuar për Shqipërinë sa ajo e tri ditëve më parë në Polonië, ku vajzat kuqezi u mposhtën thellë 125-19.

Një ndeshje pa shumë nerv nga ana e kombëtares shqiptare, ende shumë larg asaj që pritet në fushë në këtë turne edhe pse në parket zbritën shumë vajza të reja dhe pa përvojë. Niveli i tyre tregon se kampionati shqiptar i basketbollit për femra vijon ende të jetë shumë amator. Shifrat e dy ndeshjeve të para flasin qartë për nivelin e kombëtares shqiptare, shumë larg rivaleve të saj (sot humbi me 99 pikë).

Takimi nuk pati histori, pasi u dominua nga mikeshat sllovene që nga minuta e parë deri tek e fundit, duke ruajtur të njëjtin ritëm (14-30, 0-32, 11-36, 3-29 rezultati i katër periodave). Siç shihet, në 10-minutëshin e dytë, vajzat kuqezi nuk realizuan dot as edhe një pikë në koshin kundërshtar!!! Mirela Lugaj me 14 pikë ishte shënuesja më e mirë e kombëtares së drejtuar nga trajnerja Mirza Alibegaj.

Kështu, pas dy ndeshjeve të para të Grupit D, Shqipëria renditet e fundit në grup, me 0 pikë dhe me një pasiv të tmerrshëm, vetëm 47 pikë të shënuara dhe 252 të pësuar. Në krye të këtij grupi ndodhet Turqia, rivalja tjetër e Shqipërisë, me të cilat kombëtarja jonë nuk ka luajtur ende (sfida do të luhet shkurtin e vitit të ardhshëm). Turqia fitoi sot 52-41 ndaj Polonisë dhe udhëheq me 4 pikë të plota.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit