Tomori zbon edhe brazilianin e dytë dhe “gënjen” futbollistët me gjysmë page

13 Dhjetor 2018
20:06
back button

Fundi i vitit te Tomori është një zhgënjim i vërtetë, jo aq për rezultatet, që janë mëse normale për një skuadër aspak të kompletuar për të luftuar për majat e renditjes, sepse për sjelljen e klubit beratas.

Mes shumë problemesh e hallesh, lojtarët po mbyllin një pjesë të parë sezonale me “barkun bosh”, sepse kanë kohë që presin të paguhen dhe mësohet nga burime pranë klubit se vetëm sot nisën të kalojnë pagat e tetorit, por të përgjysmuara.

Nuk dihet arsyeja pse është dhënë gjysmë page për çdo futbollist, por ndoshta ka lidhje me faktin se Tomori i ka financat e bllokuara, ose nuk ka fare para, sepse nuk është çudi që të kenë avulluar rrugës.

Ndërkaq, spastrimi vazhdon, sepse pas mbrojtësit “të arratisur” Jean Rodrigo Lacerda për shkak të kushteve skandaloze dhe një kontrate po aq skandaloze, tashmë është larguar edhe mesfushori brazilian André Markiori.

Ky i fundit nuk rezultoi ndonjë futbollist cilësor dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe, duke parë që Tomori afron futbollistë pa u parë as video në Youtube dhe më pas zhgënjehet, duke mos i paguar. Edhe André Markiori ka ikur në Brazil pa u paguar, por me një premtim se do t’i shkojnë paratë. Me pak fjalë, “prit gomar të mbijë bar”, sepse Markiori nuk ka për të marrë kokërr leku, këtë e dinë të gjithë.

Ndërkaq, Jean Rodrigo Lacerda ka nisur procedurat për apelim në FIFA kundër Tomorit, pasi klubi beratas refuzon t’i japë dokumentacionin dhe ta lërë të lirë, edhe pse tashmë është bërë publike historia skandaloze e mbrojtësit, i cili në Berat nuk mori as një pagë të plotë dhe jetonte në kushte mesjete në ambientet e brendshme të stadiumit, së bashku me futbollistë të tjerë që për momentin nuk duan të flasin për mediat, pasi e dinë që do të penalizohen nga klubi dhe do të mbeten pa asnjë të ardhur.

Telesport është krenar që bashkëpunon me Krowd9, një aplikacion fantastik i futbollit për shqiptarët! Shkarkojeni > bit.ly/krowd9 për video me përmbledhje ndeshjesh, njoftime të menjëhershme për golat dhe të gjitha lajmet e Telesport! Krowd9 është i përdorshëm në shqip, italisht dhe anglisht.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit