VËZHGIMI: “Më jepni një fushë!” Jehona e fëmijëve dhe projekti i FSHF… Topi tani i kalon qeverisë

13 Gusht 2020
22:45
Anton Cicani
back button

“Sa herë një fëmijë shqelmon diçka të hedhur në rrugë, aty nis historia e futbollit”… Kur akademiku dhe poeti argjentinas Jorge Luis Borges do të përjetësonte me shkrim mendimet e tij mbi emocionin që dhuron ky sport kaq i mrekullueshëm ishte një tjetër kohë…

Ishte koha kur topi rrotullohej kudo që të ishte dhe kur shoqëria e civilizuar ende nuk kishte hedhur hapin gjigant drejt zhvillimit dhe civilizimit total, kjo nisur edhe nga gjendja që bota kalonte mes luftrave për pushtet dhe ekonomi…

Barack Obama on Twitter: "Soccer practice at Tully Junior-Senior ...

Dekada të tëra kanë kaluar, por futbolli sa vjen dhe bëhet më global, si një edukim i zakonshëm te brezat e rinj, pra fëmijët! Në diskutimin e tij të parë në Shtëpinë e Bardhë, ish-presidenti i SHBA, Barack Obama, do të theksonte sidomos premtimin për paketën shëndetësore (të realizuar pjesërisht) për të investuar në sport dhe më pak në shëndetësi sepse “një brez i rritur me praktimin e sportit do të jetë më pak i prirur për të rënduar arkat e shëndetësisë në të ardhmen”…

Një e vërtetë e madhe që shpesh qeveritë e një vendi injorojnë për të menduar për të tashmen dhe jo atë që do të vijë. Në ditët e sotme, Shqipëria vuan nga hapësirat publike, që janë shfrytëzuar më shumë për leje ndërtimi se sa për të mirën e brezave!

Strehimi është i rëndësishëm, ashtu si edhe zgjerimi i kërkesave për punësim, por ashtu si hapja e shkollave të reja ul analfabetizmin, ashtu edhe ndërtimi i fushave të futbollit në më shumë hapësira për frymë banorësh do të rriste pasionin për t’u marrë me futboll!

Kjo është edhe baza e projektit që Federata Shqiptare e Futbollit – pas një studimi të gjërë në vendet fqinje (Itali) por edhe ato që përpara shumë vitesh futbollin e kanë pasur thjesht zbavitje për të dalë nga rruga e alkoolizmit (Islanda), ka përpiluar duke e quajtur “Rivitalizimi i Futbollit në Shqipëri – 100 Fusha Futbolli”…

Në 30 vitet e fundit fushat e futbollit në vendin tonë janë pakësuar, pasi një pjesë e mirë kanë ndryshuar destinacion, ndërsa të tjera kanë degraduar për shkak të mungesës së investimeve.

Është e vërtetë që shumë fëmijë kanë dëshirë të stërviten dhe të luajnë futboll, por e kanë të pamundur pasi nuk kanë fusha futbolli afër shtëpisë apo në lagjet e tyre dhe janë të detyruar të udhëtojnë me kilometra për t’u argëtuar me topin. Diçka që përkthehet në kosto për familjet dhe shpesh në pamundësi për t’i shtruar rrugën fëmijëve për të ndjekur ëndrrën dhe pasionin!

Një pasion dhe ëndërr që qeveria dhe pushteti vendor duhet të marrë parasysh.

Shqetësimi është i madh sidomos në kryeqytet, ku hapësirat e lira janë ulur ndjeshëm, ndërkohë që numri i banorëve vazhdon të rritet dhe duhet ndërhyrë në mënyrë urgjente. Deri më sot fushat janë kthyer në shesh ndërtimi për pallate, por kjo gjë duhet medoemos të ndryshojë në vazhdim nëse duam të mendojmë për brezat e ri. Qëllim parësor i FSHF-së është që fëmijët tanë, djemtë dhe vajzat, dhe po ashtu edhe të rriturit, të kenë ambiente moderne në rajonet ku banojnë, në mënyrë që të angazhohen në botën e mrekullueshme të futbollit.

Projekti “Rivitalizimi i Futbollit në Shqipëri – 100 Fusha Futbolli” synon pikërisht të përmirësojë indeksin aktual të infrastrukturës futbollistike, për të mundësuar rritjen e numrit të djemve dhe vajzave që stërviten, luajnë, punojnë dhe zbaviten me futboll.

ARMAND DUKA

“Me një investim minimal të qeverisë, nëse na mbështet në këtë iniciativë, të ndërtojmë 100 fusha futbolli brenda 3 viteve të ardhshme në Shqipëri dhe ne do të jemi gjithmonë një vend pretendent për çdo lloj gare ndërkombëtare në futboll. Që të kemi më shumë fëmijë, që të kemi më shumë kualitet, që të kemi më shumë masivitet, këto 100 fusha mund të jenë fillimi. Por Shqipëria ka nevojë për të paktën 500 fusha futbolli”.

Bëhet fjalë për 100 fusha me përmasa të rregullta e të plota, që janë në plan për t’u ndërtuar në të gjithë vendin. Propozimi është për të ndarë kostot financiare në mënyrë të barabartë, ndërsa fatura në total mund të shkojë në 20 milionë euro. Natyrisht, do të duhet bashkëpunimi edhe me pushtetin vendor, pra me bashkitë, për të ndërtuar infrastrukturë në Tiranë dhe në rrethe.

Por, çfarë parashikon ky projekt?

Kontributin financiar sipas formulës: 34% e vlerës totale të projektit do të financohet nga Federata Shqiptare e Futbollit; 33% e vlerës totale të projektit do të financohet nga qeveria shqiptare; 33% e vlerës totale të projektit do të financohet nga subjekti aplikues.

Erion Veliaj 🚴‍♂️🌳⚽️🇦🇱 on Twitter: "Fusha te reja tenisi ...

Subjekti aplikues mund të jetë një bashki, një klub futbolli ose një investitor privat, i cili ka një truall në pronësi ose me qera për një afat jo më pak se 20 vjet. Fushat e lojës do të jenë me përmasa olimpike me bar natyral dhe do të kenë ambiente teknike, që përbëhen nga dhomat e zhveshjes, me sipërfaqe minimale 200 metra katror dhe hapësira për zyrtarët e ndeshjes. Gjithashtu, duhet të sigurohet pjesa e rrethimit dhe të ketë pajisjet e duhura për mirëmbajtjen e fushave.

Studimi i ndjekur nga FSHF

Në bazë të studimit të kryer nga FSHF-ja, nëse i hedhim një sy situatës aktuale në të gjithë territorin e vendit, shifrat nuk janë aspak entuziaste sa u përket fushave me bar natyral dhe fushat me bar artificial në çdo qytet krahasuar me numrin banorëve.

Nga ky studim, rezulton se raporti i fushave të futbollit varion mesatarisht nga 1/18.000 banorë e deri në rastet ekstreme 1/115.000 banorë. Kjo shifër nuk është thjesht e ulët, por është jashtë çdo standardi krahasuar me mesataret europiane. Kjo situatë, kushtëzon në mënyrë rrënjësore numrin e futbollistëve amatorë dhe profesionistë, parakusht bazë për një futboll cilësor në nivel elitar ndërkombëtar. Për të dhënë një shembull se çfarë shpërndarjeje duhet të ketë në një vend infrastruktura e futbollit, mund të sjellim disa statistika europiane nga vende të ndryshme.

Shembujt e huaj

Anglia ka rreth 40 mijë fusha të mëdha dhe për fëmijë dhe e përkthyer në shifra të indeksuara, ka 1 fushë futbolli për 1400 banorë (1/1400). Italia sipas statistikave të gjeneruara nga hulumtimet ka plot 18 mijë fusha të certifikuara dhe ka një raport 1 fushë për 3300 banorë (1/3300).

Përurohet kompleksi i ri sportiv “Football Republic”, Veliaj: Do ...

Islanda ka 182 fusha me përmasa të certifikuara dhe dhjetëra fusha të mbyllura. Sipas statistikave ka një indeks 1 fushë për 1800 banorë (1/1800). Ishujt Faroe kanë 20 fusha dhe një mesatare prej 1 fushe për 2500 banorë (1/2500). Ndërsa, Gjermania numëron plot 50 mijë fusha futbolli dhe ka një mesatare prej 1 fushe për 1700 banorë (1/1700).

Shtylla bazë drejt zhvillimit

Janë dy shtylla kryesore të lidhura fort me suksesin në fushën e futbollit: e para është infrastruktura. Pa të, do të ishte e pamundur të flisnim për një nivel e për një standard të pranuar. Infrastruktura është po aq e lidhur me suksesin në futboll sa ç’është ecuria dhe mirëqënia ekonomike për gjithë vendin tonë. Sa më e zhvilluar infrastruktura, aq më të mëdha janë mundësitë.

Ndërsa, shtylla e dytë është edukimi. Me këtë infrastrukturë ofrohet mundësia që të edukohen fëmijët dhe të rinjtë tanë, që sigurisht duke parë vendin ku luajnë, do kërkojnë më shumë nga vetja. Infrastruktura do të sillte një standard edhe në pjesën edukative si dhe të disiplinës.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit