Francesco Totti ka bërë një deklaratë të rëndësishme në mbështetje të Alessandro Del Piero për një kandidaturë të mundshme si president i FIGC. “Do ta shihja mirë Del Piero si president të Federatës Italiane të Futbollit, – tha ish-kapiteni i Romës për “Sportmediaset”. – Të gjithë e dimë se është një figurë e rëndësishme.
Le të shohim çfarë do të ndodhë. Jam i lumtur për të nëse vendos të ndërmarrë këtë hap të rëndësishëm. Do të dëshiroja që njerëz që kuptojnë futbollin të bëhen pjesë e institucioneve kaq të rëndësishme. Alex mund të bëjë gjithçka, sepse është një figurë e pastër dhe me rëndësi. Vendimi i takon atij, por vota ime është e sigurt, pa iu hequr asgjë atyre që mbajnë këtë rol tani”.
Nga ana tjetër, Del Piero, gjatë një paraqitjeje në “Sky Sport”, foli për zërat që e lidhin me një kandidaturë për drejtimin e FIGC: “Situata është shumë e thjeshtë. Nuk jam zgjuar një mëngjes dhe kam vendosur të kandidoj, sepse kandidatura duhet të propozohet nga dikush. Askush nuk më ka kërkuar ta marr këtë rol.
Nëse nuk të ftojnë, nuk mund të paraqitesh vetë. Jam shumë mirë aty ku jam. Më pëlqen të informohem dhe të përditësohem, por një situatë e tillë duhet të trajtohet me frymë ekipi. Nuk dua të punoj kundër askujt, aq më pak në FIGC. Nuk është e vërtetë që po kandidoj, por nëse ndodh, duhet të bisedojmë për të kuptuar dinamikat. Deri tani nuk ka asgjë konkrete”.
Ndërkohë, Gabriele Gravina ka konfirmuar rikandidimin e tij për presidencën e FIGC. Në një intervistë për “Corriere della Sera”, ai deklaroi: “Po rikandidoj. Nuk ishte një vendim i lehtë, por shumë i menduar. Sulmet që kam marrë javët e fundit nuk kanë precedentë në një vend të qytetëruar si Italia.
Më kanë bërë presion për të mos kandiduar, por nuk më njohin. Kam forcën të ec përpara me ndërgjegje të pastër. Nuk kam kryer asnjë krim dhe jam i gatshëm t’i nënshtrohem drejtësisë italiane. Ajo që po më ndodh është e paprecedentë. Kam qenë viktimë e një fushate të paligjshme njerëzish me qëllime të këqija ndaj meje”.
Lidhur me emrin e Del Piero si sfidant të mundshëm, Gravina tha: “Nuk komentoj. Alex ka qenë një kampion i madh dhe ka dhënë shumë për futbollin. Kam tentuar ta përfshij në Federatë, por angazhimet e tij e kanë penguar gjithmonë. Gjithsesi, edhe atë, dikush duhet ta propozojë”.