Tragjike: I riu ndërron jetë në “Asllan Rusi” pas një ndeshje basketbolli, ndërpritet në mes ndeshja e kampionatit

24 Shkurt 2024
22:03
Telesport
back button

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot pasdite në pallatin e sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet, që ka tronditur sportin shqiptar. Një i ri 15-vjeçar ka humbur jetën në spital, por më herët ai ishte rrëzuar në parketin e pallatit të sportit, pasi kishte përfunduar një ndeshje basketbolli për mosha.

I riu ishte spektator në një ndeshje basketbolli të rinjsh dhe pas përfundimit të takimit ka hyrë në parket, ku dhe ka rrëshkitur (ndoshta rrëzuar) e ka goditur kokën. Ende e paqartë si ka ndodhur dinamika e ngjarjes, teksa besohet se është rrëzuar teksa gjuante një top basketbolli në kosh.

Pas incidentit, i riu është ndjerë keq dhe është dërguar menjëherë në spital, por për fat të keq nuk ia ka dalë mbanë të jetojë. Ndërkohë që, në pallatin e sportit kishte nisur ndeshja e kampionatit të volejbollit për të rritur Partizani-Vllaznia.

Në fundin e setit të tretë (2-1 për kryeqytetasit) ka mbërritur policia, e cila ka dhënë lajmin e trishtë, duke nisur edhe hetimet dhe kqyrjen e vendit të ngjarjes. Kjo ka sjellë ndërprerjen e ndeshjes së volejbollit.

Gjyqtarët dhe dy ekipet kanë rënë dakord që të mos e vijonin më ndeshjen, ndërkohë që nuk ka nisur as takimi i femrave Partizani-Vllaznia, që ishte planifikuar për të nisur më vonë.

Sot më datë 24.02.2024, rreth orës 15:00, te pallati i sportit “Asllan Rusi”, një 16-vjeçar duke parë një ndeshje basketbolli, ka humbur ndjenjat dhe është rrëzuar në fushë, dhe më pas ka ndërruar jetë në spital. Paraprakisht dyshohet se 16-vjeçari ka pësuar arrest kardiak,” njofton policia.

Kjo ngjarje e rëndë ka tronditur pa masë të gjithë, si ata që ndodheshin në sallë në momentin që ka ndodhur incidenti i të riut ashtu dhe ata që erdhën më pas dhe që morën vesh lajmin e trishtë. Të dhënat që vijnë për incidentin janë ende të paqarta, ndaj dhe policia po heton.

Redaksia e Telesport, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe miqve të të riut që humbi jetën në këtë ngjarje tragjike.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit