Trajneri i Bayernit ka një mesazh për Coutinho, ja dhurata që do për fundvit

14 Dhjetor 2019
10:03
Alfred Lleshi
back button

Trajneri i Bayern Munich, Hansi Flick, ka bindjen se Philippe Coutinho është në rrugën e duhur, pasi shënoi gol në fitoren e mesjavës, ndaj Tottenham. Ndikimi i brazilianit në “Allianz Arena” është vënë në dyshim që prej huazimit aty, nga Barcelona, në fillim të sezonit.

Mesfushori me tipare sulmuese ka shënuar 4 gola dhe ka dhënë 5 asiste në 19 ndeshje për bavarezët, të cilët janë në vendin e shtatë të Bundesligës. Një prej këtyre golave erdhi në fitoren 3-1 të Ligës së Kampionëve, të mërkurën kundër Tottenham, me Coutinho që ka marrë lavdërime nga trajneri Flick: 

“Ai luajti shumë mirë kundër Tottenham. Ishte e rëndësishme për të ta bërë këtë. Coutinho është në një formë shumë të mirë dhe e shoh në rrugën e duhur. Nuk është e lehtë të vish në Gjermani dhe të kesh një adoptim të menjëhershëm. Ai do ta tregojë përsëri potencialin që ka”.

Coutinho mund të përdoret në krahun e majtë kundër Bremenit, për shkak të mungesës së Kingsley Coman, i cili është dëmtuar në gju. Alphonso Davies është, gjithashtu, një kandidat për të luajtur në atë pozicion, por Flick po i mban të hapura opsionet. I pyetur nëse Coutinho është në planet e formacionit startues, trajneri i Bayernit tha: “Do ta shohim. Unë kam qenë shumë i kënaqur me Alphonso. Ai ka bërë shumë mirë në aspektin mbrojtës. Ritmi e bën një pasuri për ne, në pjesën e prapme”. 

Kampionët në fuqi të Bundesligës janë shtatë pikë mbas liderëve të renditjes, Borussia Monchengladbach, dhe Flick ka pranuar se skuadra e tij nuk mund të lejojë një hap tjetër fals këtë fundjavë: “Ne duhet t’i qasemi ndeshjes me përqendrim. Ata mund të na befasojnë, nëse nuk jemi në 100 për qind. Duam ta mbyllim vitin me tri fitore. 

Nuk është e lehtë, por ky është objektivi që e kemi vendosur vetë. Jo gjithçka është e përsosur. Asnjëherë nuk mund të arrish përsosmërinë. Ne duhet të punojmë më mirë së bashku, t’i bëjmë presion kundërshtarit qysh herët. Kemi shumë posedim, por është e rëndësishme të shmangim humbjen e topit në zona të rrezikshme”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit