Trajneri i Belgjikës: Ai është Michael Jordan i futbollit, do ta fitojë “Topin e Artë”

6 Dhjetor 2019
9:41
Alfred Lleshi
back button

Eden Hazard është përshkruar si Michael Jordan i futbollit, ndërsa trajneri i Belgjikës, Roberto Martinez, e vendos yllin e Real Madridit mes kandidatëve për ta fituar “Topin e Artë”. Hazard, i vlerësuar si një nga lojtarët më të mirë në botë, kaloi nga Chelsea te Real Madridi, nga Premier League në La Liga, verën e këtij viti, por nuk ka shkëlqyer deri tani te të bardhët. Së fundi, ai ka pësuar edhe një frakturë të vogël të kyçit të këmbës.

Kur u pyet për Hazard, Martinez e krahasoi kapitenin e të tijve me një gjigant të basketobollit të NBA. “Unë e shoh Hazard duke fituar “Topin e Artë”, – tha Martinez për programin televiziv, “Cadena Ser El Larguero”. – Eden ka potencialin për ta fituar çmimin e madh prestigjioz individual. Ajo që ka bërë deri tani është për nivelin e “Topit të Artë”. Gjithmonë është i pranueshëm për këtë çmim. E ka dëshmuar më së miri veten te Chelsea dhe në Francë. Starti i tij te Real Madridi? Është e vështirë për një të huaj që të jetë direkt referencë e një klubi kaq të madh, që punon për të fituar titullin. Ai është një lojtar i mrekullueshëm, një Michael Jordan i futbollit”.

Hazard, i cili ka shënuar vetëm një herë këtë sezon, do ta humbasë “El Clasico” kundër Barcelonës më 18 dhjetor për shkak të një frakture të vogël në kyçin e këmbës. Belgu i Real Madridit u detyrua të largohej nga fusha i dëmtuar në barazimin 2-2 të Ligës së Kampionëve ndaj PSG, muajin e kaluar.

“Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Ju dëshironi që një lojtar si Eden të jetë 100 për qind, të përfshihet në ekip dhe të luajë sa më mirë. Hazard është në gjendje shumë të mirë fizike dhe do të kthehet shumë shpejt. Askush nuk dëshiron t’i humbasë lojtarët e nivelit të tij, por një ekip gjithmonë duhet të përballet me lëndime, pezullime… Real Madridi është i përgatitur mirë për këtë”, – përfundoi Roberto Martinez.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit