Trajneri i “lë takim” Vllaznisë: Pas 6 muajve mund të flasim…

22 Gusht 2019
10:38
Alfred Lleshi
back button

Vllaznia, pas një viti të vështirë në Kategorinë e Parë, rikthehet aty ku e ka vendin, në elitën e futbollit shqiptar. Këtë fundjavë, kuqeblutë do ta luajnë ndeshjen e parë të sezonit të ri futbollistik, në Superiore, në fushën e tyre. Mysafirë në “Loro Boriçi” do të jenë kurbinasit. Skuadra ka ndryshuar thuajse tërësisht në përbërje, si dhe në drejtim. Trajneri Mirsad Jonuz, duke folur për “Supersport”, u mundua të përcjellë optimizëm në prag të startit të kampionatit të ri kombëtar: 

“Njerëzit dhe qyteti këtu janë shumë miqësor. Jetoj në qendër dhe jam këtu prej vetëm 10 ditësh, duke qenë se ishim me fazë përgatitore. Është një eksperiencë e re dhe shumë e mirë. Vllaznia është një skuadër e madhe, që ka fituar tituj dhe ka qenë në Europë. Do të ndërtoj një skuadër të re me një sistem të ri loje. I vetmi problem është që më duhet më shumë kohë për të punuar në aspektin taktik. Superiorja është një kampionat shumë i forte, me lojtarë të mirë, shumë ekipe luajnë në kundërsulm, si Laçi. Më pëlqen të luaj futboll të hapur, për të kënaqur tifozët. Luaj për të shënuar sa më shumë gola. Për këtë mënyrë loje më nevojiten këta lojtarë që po vijnë.

I kam ndjekur lojtarët dhe mendoj se me  prurjet e reja jemi më të fortë. Presim lojtarë brazilianë si dhe një afrikan. Ramadani ka nisur të punojë me ekipin. Pas tri ndeshjeve të para do të kemi 15 ditë pushim dhe mendoj se në atë kohë do të kemi një skuadër shumë të mirë. Normalisht që ka problem, kur vjen nga faza përgatitore, pasi lojtarët janë të ngarkuar. Nuk premtoj që do ta fitoj kampionatin apo do të shkojmë në Europë, por do të punojmë që të luajmë sa më mirë. 

Në ndeshjen e parë duhet të marrim pikë. Ne po punojmë që të ndërtojmë një skuadër për të gjithë sezonin dhe vetëm në fund do të shohim sesa të saktë kemi qenë. Për mua e rëndësishme është që të kemi mbështetjen e tifozëve. Pas 6 muajve mund të flasim për punën time, tani po punojmë për të bërë një nisje të mirë dhe të ndërtojmë një skuadër të mirë. Do të luajmë ndeshje pas ndeshjeje dhe të shohim, pasi kampionati është interesant, me skuadra të forta. 

Duhet t’i marrim ndeshjet një nga një, pasi gjithçka ka ndryshuar te Vllaznia. Vjet ishit në Kategorinë e Parë, ndërkohë që në Superiore është krejt ndryshe. Jam i kënaqur që nuk kemi patur dëmtime. Më pëlqejnë shumë tifozët e Vllaznisë dhe shpresoj të mbështesin jo trajnerin, por ekipin. Punojmë së bashku, i marrim fitoret së bashku, ashtu si dhe humbjet”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit