Trajneri i ri, Juve mund të befasojë me serbin që nuk i ngroh tifozët

18 Maj 2019
10:48
back button

Që kur trajneri Massimiliano Allegri la drejtimin e Juves, në Itali ka nisur gara mediatike për të zbuluar pasuesin e kampionit të Italisë që prej sezonit 2014/15 deri tani. Nga Juventusi nuk ka asnjë sinjal që të japë qoftë edhe një ide të vogël për trajnerin e ri, ndaj gazetarët italianë ecin në errësirë, duke futur në listë emra si Pep Guardiola, Pochettino, Mourinho, Simone Inzaghi e Deschamps.

Sot SportMediaset hedh në qarkullim një ide të bujshme dhe që ka acaruar shumë tifozë bardhezinj: Sinisa Mihajlovic është në avantazh ndaj emrave të përmendur më herët!

Trajneri serb, i cili shpëtoi Bolognan me një rendiment të çmendur në 3 muajt e fundit (2 humbje në 10 ndeshje), vlerësohet shumë nga presidenti Andrea Agnelli, i cili në vitin 2014 për pak sa nuk e emëroi trajner të Juves.

Mihajlovic drejtonte Sampdorian në atë kohë dhe Beppe Marotta e kontaktoi për t'i shfaqur interesimin e Juves. Mihajlovic e Agnelli u takuan dhe Sinisa pranoi të bëhej pasuesi i Antonio Contes, i cili po mendonte largimin.

U arrit edhe një marrëveshje 2-vjeçare, me opsion rinovimi, që do të firmosej sapo Conte të jepte dorëheqjen, por më pas ky i fundit ndërroi mendje dhe vendosi të qëndronte, duke bllokuar Mihajlovic.

Vetë serbi para pak kohësh deklaronte në një intervistë për Gazzetta dello Sport: "Juve më kontaktoi, shkova në rezidencën e familjes Agnelli, së bashku me Marotta e Nedved. Ishte e kryer, por Conte në fund vendosi të mos largohej. Dy muaj më vonë dha dorëheqjen, por unë kisha vazhduar me Sampdorian dhe në Torino shkoi Allegri…".

Ndoshta historia do të përsëritet, këtë radhë me fund të lumtur, sepse Mihajlovic është trajneri më i lirë nga gjithë ata që po përmenden, por ajo që shqetëson ambientin bardhezi është fakti se Mihajlovic nuk ka drejtuar ndonjëherë ekipe pretendente për Champions League dhe nuk beson askush se mund t'ia dalë. Sa për kampionatin në Itali, Juve e fiton edhe pa trajner, me skuadrën që ka.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit