Kombëtarja

Trajneri i Skocisë, Alex McLeish: “Mungesat, problemi ynë serioz, Grezda gjithashtu rrezik!”

Pas një vonese prej më shumë se 30 minutash, të justifikuar me vonesën e avionit, trajneri i përfaqësueses së Skocisë, Alex McLeish doli para mediave në konferencën për shtyp, në kuadër të përballjes së të shtunës, që do të zhvillojë ndaj Shqipërisë, në “Loro Boriçi” të Shkodrës, në takimin e vlefshëm për Ligën e Kombeve. Në fjalën e tij, tekniku McLeish ka vënë theksin te mungesat e shumta që do të vuajë në këtë përballje, teksa vlerëson gjithashtu edhe futbollistin e përfaqësueses së Shqipërisë, Eros Grezda, që tashmë luan në kampionatin skocez, me skuadrën e Rangers, nën drejtimin e Gerrard.

“E di që kam shumë mungesa në ekip, por ne jemi përgatigur gjatë të gjithë javës me ekipin. Lojtarët që kam më vetë janë përgatitur për të marrë rezultatin që na duhet. Ne kemi bërë ndeshje të mira këto kohë. Janë detajet që na mungojnë. Kemi luajtur me ekipe që nuk i njohim, por jam i vetëdijshëm që mungesat janë problem për ne. Nuk do të ketë ndryshime në sistemin e lojës. Jam i bindur që me ekipin që kam jam i vetëdijshëm që mund të arrijmë një rezultat pozitiv. Nuk besoj se është rasti që lojtarët të cilët janë të dëmtuar të mund të luajnë. Duhet të respektojmë vendimin e mjekëve. Morali është mjaft i lartë në ekip. Jemi stërvitur mirë që në momentin që kemi arritur në Shqipëri”, deklaroi tekniku i Skocisë, Alex McLeish në konferencën për mediat.

“Ndërsa me Shqipërinë do të jetë një ndeshje e fortë. Grezda po përmirësohet shumë, por duhet të gjejë formën, sidomos në ligën skoceze ku luhet një futboll shumë i shpejtë. Kam vënë re se ai po përshtatet shumë dhe do të jetë rrezik për ne. Nuk mund të parashikoj rezultatin. Ne do të mundohemi të bëjmë më të mirën dhe të synojmë për një fitore ndaj Shqipërisë. Por edhe barazimi nuk do të ishte rezultat i keq për ne”, vijoi trajneri i përfaqësueses skoceze.

Telesport është krenar që bashkëpunon me Krowd9, një aplikacion fantastik i futbollit për shqiptarët! Shkarkojeni > bit.ly/krowd9 për video me përmbledhje ndeshjesh, njoftime të menjëhershme për golat dhe të gjitha lajmet e Telesport! Krowd9 është i përdorshëm në shqip, italisht dhe anglisht.

Më shumë nga Kombëtarja