Basketboll

Trajneri i Teutës i jep lamtumirën ekipit, zbulon sfidat e reja

Trajneri i ekipit të Teutës në basketboll për meshkuj, Boban Ninic, ka lënë stolin e ekipit durrsak që këtë sezon ka bërë një nisje fantastike në kampionat, ndërsa sezonin e shkuar fitoi Super Kupën dhe rivalizuan në finalet e kampionatit me Tiranën.

Largimi i tij erdhi pas një sërë arritjesh me ekipin e djemve të detit dhe pikërisht me këto suksese Boban Ninic ka dashur t’i japë lamtumirën ekipit të tij. Konkretisht në një status në Facebook, ka shkruar:

“Kur erdha në qytetin tuaj të bukur sezonin e shkuar, ne folëm për një përballje të mundshme në Play off dhe ndërtimin e një strukture me të rinj të talentuar që do të prodhonin basketboll tërheqës. Në fund, ne luajtëm 3 finale. Ishte kënaqësi të isha pjesë e kësaj skuadre, të bashkëpunoja dhe të kisha një përvojë në një shtet tjetër.
Ishte kënaqësi pasi pas bashkëpunimit tonë, shumë njerëz dëgjuan për ju. Ishte kënaqësi, që iu “hapa sytë” në rrugën e duhur. Kënaqësi që ju lash, pa pësuar asnjë humbje në Balkan League, me rezultatin më të mirë për një ekip shqiptar. Kënaqësi që ju solla trofen e parë në histori si trajner i ri. Sfidat të reja më presin nesër. Faleminderit dhe paçi fat!”

Telesport ka kontaktuar me trajnerin rreth sfidave të reja dhe ai ka treguar se:

“Pas një sezoni të mirë dhe një nisje të mbarë në Balkanligë pas asnjë humbje, unë u largova nga Teuta. Dy javët e ardhshme do të shkoj për vizitë si specialist në klubin e Champions League-s Niznji Novgorod në Rusi, ku do të punoj së bashku me trajnerin e tyre. Kam oferta nga Superliga e Maqedonisë dhe Bosnjes. Pas këtyre do të vendos se çfarë do të bëj.”

Më shumë nga Basketboll