“Transferimi te Barça është një rrezik”, ish-shoku i skuadrës paralajmëron Lewan

21 Maj 2022
20:25
Denis Hakanaj
back button

Andrzej Juskowiak është një nga ata që e njohin shumë mirë Robert Lewandowski-n, duke parë se kanë ndarë dhomën e zhveshjeve te Lech Poznan, kur sulmuesi i Bayern-it ishte një djalosh.

Dhe ish-shoku i skuadrës ka shprehur për Bild përshtypjen e tij në lidhje me një transferim të mundshëm të polakut te Barcelona ose të një qëndrimi të forcuar në Allianz Arena.

“E prisja që të kërkonte të largohej, nuk besoj se gjërat në sezonin e fundit kanë shkuar shumë mirë, por nuk e di se çfarë ka ndodhur brenda klubit”, ka thënë Juskowiak.

Në rast largimi, natyrisht, polaku do të kërkojë një skuadër që të jetë në lartësinë e duhur të një lojtari që në sezonet e fundit ka shënuar një lumë golash.

“Emri i Lewandowski-t përmendet për një kalim të mundshëm te të gjithë klubet më të mirë në botë. Megjithatë, Robert nuk do të shkojë domosdoshmërish tek ata që do t’i ofrojnë më shumë para, kërkon të ketë një mundësi të fitojë Champions-in. kërkon të qëndrojë në nivelin sportiv të Bayern-it”.

Barcelona është një opsion, por kujdes… “Imagjinoj se do të shkojë te Barcelona, por mund të jetë edhe një rrezik. A do të bëjë mirë në La Liga siç ka bërë në Bundesliga? Lamtumira e Messi-t për të shkuar te PSG është një shembull që mund të frikësojë.

“Loja te Barcelona ishte e ndërtuar rreth Messi-t, kishte shokë skuadre që e njihnin në mënyrë perfekte dhe bashkë shënonin shumë. Dhe në Paris nuk po ndodh kështu”.

Gjithçka ka lidhje me mënyrën e lojës. “Nuk ka një klub tjetër në Europë në të cilin sulmuesi shërbehet më mirë. Lewa merr shumë krosime, pasime depërtuese dhe nga krahët, te Bayern ka një situatë shumë të mirë ku të gjithë e vlerësojnë dhe e dinë atë që mund të japë.

“Te Barça ka më shumë lojtarë në mesfushë që duan të shënojnë dhe nuk krijojnë gjithmonë për sulmuesin. Robert-it do t’i duhet kohë për t’u mësuar për këtë stil të ri loje”.

Po nëse Bayern-i nuk e lë të largohet? Nga ana tjetër, polaku ka një kontratë deri në qershorin e 2023-shit… “Do të zemërohet për një javë, por më pas do të kthehet me dëshirën për të shënuar dhe fituar me Bayern-in. Jam i sigurt 100% se Robert do ta respektonte kontratën e tij me korrektësi dhe do të shënonte, siç ka bërë gjithmonë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit