Trashi: Vllazninë nuk e hodhi Partizani, të ardhmen nuk e di

18 Tetor 2019
14:25
Eraldo Harlicaj
back button

Mesfushori i Partizanit dhe Shqipërisë, Lorenc Trashi, u shfaq para medieve së bashku me trajnerin Franco Lerda. Gramshioti foli për sfidën ndaj Vllaznisë dhe tregoi emocionet e rikthimit nga kombëtarja e Shqipërisë. Ai ka vënë theksin te pjesa që Vllazninë nuk e ka rrëzuar Partizani nga Superiorja. 

Kombëtarja – “Është hera e tretë që grumbullohem me kombëtaren. Më kishte ftuar edhe Panuçi. Nuk luajta, por sërish ishte ai gëzimi për grumbullimin. Me Rejën është ndryshe, e kemi njohur më shumë njëri-tjetrin. Ndryshe nga grumbullimi i parë, edhe çunat kanë qenë më afër meje dhe më kanë mbështetur. Kur u bë formacioni i ndeshjes me Moldavinë, të gjithë më kanë dhënë kurajo dhe më thanë të luaja i qetë. Ky është ndryshimi nga grumbullimi i parë”.

Ndryshimet te Partizani – “Duhet të shohim diçka, pasi ekipi nga vjet ka ndryshuar. Kanë ardhur mbi 10 lojtarë. Vjet ka qenë një bazë me 12-13 lojtarë, që kanë luajtur thuajse gjithë kampionatin. Ndoshta s’kemi pasur një stol luksi, si sivjet. Ka shumë lojtarë që mund të luajnë në formacion, shpesh mund të bëhen ndryshime. Ai që e meriton luan. Jo se vjet nuk ka qenë kështu, por kemi pasur më pak lojtarë. Nuk është se e kemi nisur mirë, por kam besim dhe e kam thënë. Kam shpresë se do kthehemi të lojërat e mira, si në derbi. Shpresoj të realizojmë objektivat tona”.

E ardhmja  – “Nuk mund ta cilësoj si sezonin e fundit te Partizani. Është folur shumë për mua në lidhje me një largim të mundshëm në një kampionat më të fortë. Kjo gjë nuk varet nga unë. Duhet të kënaqet edhe klubi. Kombëtarja shërben për një karrierë më të mirë dhe për një klub më të mirë”.

Premio e Demit – “Presidenti e mban gjithmonë fjalën. Kam folur me të gjatë gjithë grumbullimit dhe më ka mbështetur. Para ndeshjes më foli dhe më bëri premtimin. Sapo erdha në Tiranë e takova dhe e ka mbajtur fjalën”.

VLLAZNIA – “Partizani nuk ka ndikuar për rënien e Vllaznisë, ra vetë, për problemet e veta. Normalisht nesër do të jetë një ndeshje e vështirë. Ata po kalojnë një moment të mirë. Janë një ekip legjendar, kjo nuk mohohet, edhe pse ranë në të Parën. Ka ndodhur për problemet që kanë pasur ata. Pritet një ndeshje shumë e fortë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit